Rend dhe Ligj

Ilir Proda emërohet zyrtarisht në krye të Policisë së Shtetit. Ministri Hoxha sqaron sekuestrimin e telefonit nga SPAK: I kaloi fazat e verifikimit

Gazeta Si - Ilir Proda është konfirmuar si drejtuesi i ri i Policisë së Shtetit. Lajmi u konfirmua nga ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, pas mbledhjes së qeverisë këtë të mërkurë. Hoxha tha se shumë shpejt do të hapet edhe kandidimi për drejtuesit e policisë në qarqe.

Pak ditë më parë, SPAK i ka sekuestruar telefonin Prodës për të bërë verifikime lidhur me dekonspirimin e operacionit për goditjen e grupit kriminal të drejtuar nga vëllezërit Çopja në Elbasan.

Por ministri i Brendshëm Ervina Hoxha, ka pohuar se kryepolici i ri i ka kaluar të gjitha fazat e verifikimit të figurës.

"Fakti që të gjitha organet ligjzbatuese u pyetën në një kohë rekord dhe përgjigjja e tyre ishte shumë e shpejtë, kandidaturat janë verifikuar nga çdo organ ligjzbatues dhe pastërtia e tyre është në përputhje të plotë me ligjin. Ky proces konsiderohet transparent, integrues dhe drejtori i ri i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit i ka kaluar këto etapa të verifikimit", - tha Hoxha.

Ilir Proda u propozua për Drejtor të Policisë së Shtetit nga ministri i Brendshëm Ervin Hoxha dhe më pas iu dërgua kryeministrit Rama për të vendosur firmën përfundimtare.

Proda 41 vjeç u zgjodh nga lista mes 5 kandidatëve me pikët më të larta që ishin në garë për kryepolic. Ai do të pasojë në këtë detyrë Muhamet Rrumbullakun.

Proda e fitoi në këtë garë krah Altin Menës, Ardian Çipës, Neritan Nallbatit dhe Skënder Hitës që u vlerësuan me më shumë pikë nga komisioni i posaçëm.

Ilir Proda aktualisht mban postin e kreut të Policisë së Elbasanit dhe ka një karrierë 19-vjeçare në Policinë e Shtetit. Në vitin 2002 ai nisi studimet në Akademinë e Sigurisë, deri në vitin 2005, kohë kur u emërua specialist pranë Komisariatit 3 në Tiranë, ku qëndroi për 6 vite.

Më pas karriera e tij ka vijuar në disa komisariate, struktura hetimore dhe disa drejtori qarqesh.

Në to ka shërbyer si specialist, shef komisariati apo zëvendësdrejtor. Pozicion që e ka mbajtur deri në Mars të 2023, kur u emërua në krye të Policisë së Elbasanit. Kjo ishte hera e parë pas ndryshimeve ligjore që kreu i Policisë së Shtetit u zgjodh me garë të hapur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë