Politike

Ilir Meta mohon firmën për lobimet e LSI: Unë isha President! A po gënjen Altin Dumani?

Gazeta Si – Nga qelia ku ndodhet që prej tetorit të vitit të kaluar, presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka sulmuar ish-zyrtarin e lartë të partisë që ai drejton, Endrit Braimllarin, i cili pak kohë më parë iu bashkua Partisë Socialiste.

Meta thotë se Braimllari është më i gjallë i mënyrës se si SPAK-u arrin t’i konvertojë njerëzit pa karakter në “rilindas” të denjë – gënjeshtarë.

Në këtë kontekst, Meta kujton se kirma për lobimet e LSI-së në periudhën 2018–2019 është e Endrit Braimllarit, si Sekretar iu Përgjithshëm i LSI-së, ndërsa vetë ai kujton se ka qenë President i Shqipërisë.

Meta ka publikuar edhe dokumentin e SPAK, ku Endrit Braimllari faktohet si personi përgjegjës që ka firmosur lobimet në emër të LSI-së në periudhën 2018-2019, kur ai ishte Sekretar i Përgjithshëm i LSI-së.

Në postimin e tij, Meta akuzon Braimllarin se po përpiqet të fshehë përgjegjësinë e tij dhe t’i mohojë firmat që ka hedhur vetë.

“Endrit Braimllari është shembulli më i qartë i mënyrës se si SPAK-u arrin t’i konvertojë njerëzit pa karakter në ‘rilindas’ të denjë – gënjeshtarë. Vetëm një ‘rilindas’ mund të harrojë firmat që ka hedhur vetë dhe arsyet për të cilat i ka bërë. Ai është një gënjeshtar ordiner, që përpiqet të fshihet pas harresës, por e vërteta nuk fshihet as me lojëra fjalësh, as me konvertim teserash partie”.

Meta thekson se distancohet nga firmat e hedhura prej Braimllarit, të cilin më tej e akuzon se duke dëmtuar Partinë e Lirisë, vazhdoi karrierën politike si i “graduar” i PS në postin e nënkryetarit të Këshillit Bashkiak të Tiranës.

Ai ngre dyshime edhe mbi rolin e kreut të SPAK, Altin Dumanit, duke e pyetur në mënyrë retorike nëse është ky personi që ka firmosur dokumente zyrtare që po mohohen tashmë.

“Për firmat e tij unë qëndroj në izolim ekstrem, ndërsa Endriti ‘gradohet’ nënkryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës. Apo mos ndoshta është Altin Dumani që gënjen në shkresën zyrtare të firmosur prej tij?”, pyet Meta.

Nga hetimet në lidhje me dosjen, ku është i përfshirë ai dhe ish-bashkëshortja e tij, deputetja Monika Kryemadhi, SPAK duket ka zbuluar një tjetër episod të dyshuar korrupsioni.

Sipas burimeve paraprake, bëhet fjalë për një kartë tjetër bankare, e cila rezulton se është përdorur për blerje dhe shpenzime të ndyshme

Ilir Meta u arrestua më 21 tetor të vitit të shkuar, nën dyshimet se ka kryer korrupsion, mosdeklarim të ardhurash e pastrim parash së bashku me ish-gruan e tij, Monika Kryemadhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë