Gazeta Si – Ilir Daja ka rinovuar sot kontratën e tij me Ballkanin deri në vitin 2026. Trajneri tiranas po e drejton plot sukses ekipin kosovar, që ka fituar tituj kampionë dhe ka shkuar dy herë në grupet e Ligës së Konferencës.
Nuk është pak, ndaj dhe drejtuesit e Ballkanit kanë menduar që të rinovojnë me Dajën, ndryshe nga sa ndodh në Shqipëri, ku rinovimi me trajnerët është diçka e panjohur. Madje as trajneri që fitoi titullin e fundit, italiani Xhovani Kolela me Partizanin, nuk qëndroi në detyrë.

“Ne ia kemi besuar dirigjencën e ‘simfonisë’ tonë. Ai me ‘orkestren’ e tij kompozoi perla të pavdekshme, të cilat tashmë janë gdhendur në partiturat e historisë. Ne i kemi besuar të na prijë betejave. Ai me ‘kalorësit’ e tij ngriti fronin e lavdisë! Andaj ai padyshim që mbetet njëri prej nesh.
Zonja dhe zotërinj, tifozë të kampionit të Kosovës, me kënaqësinë më të madhe ju njoftojmë se me maestron e fushës së blertë, me profesorin e nderuar Ilir Daja, kemi vazhduar deri në vitin 2026. Bashkë kemi nisur t’i shkruajmë faqet e historisë së futbollit tonë, bashkë do t’i vazhdojmë!” – shkruan klubi kosovar në lajmin për zyrtarizimin e rinovimit me Dajën.
Një vlerësim për punën dhe institucionin e trajnerit nga ana e Ballkanit. Rruga e drejtë në fakt, që duhet ndjekur edhe nga klubet e tjera në Kosovë dhe sidomos në Shqipëri, ku trajnerët ndërrohen sa hap e mbyll sytë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




