Sport

Ilda Lelo, kampione bote në Kick Boks, por e harruar nga shteti

Janë të shumta sportet shqiptare që në vrullin e këtyre 30 viteve janë lënë në harresë, ose mbijetojnë në kushte shumë të vështira. Një sport i ri dhe shumë pak i njohur në vendin tonë që ka filluar të praktikohet kryesisht në vitet e fundit është edhe Kick Boksi. Një art marcial që ka shkrirë dy sporte shumë të njohura siç është boksi dhe karateja.

Në vendin tonë përpjekjet për ta përhapur këtë sport kanë qenë të vogla dhe shumë pak janë ata sportistë që janë bërë të njohur, apo kanë korrur suksese, duke u marrë me Kick Boks. Por në mesin e kësaj panorame jo aq pozitive, ka edhe një dritë shprese. Ajo është vetëm 24 vjeç dhe ka filluar të ndjejë shijet e para të suksesit duke u marrë me kick boks. Ilda Lelo është sot e vetmja sportiste shqiptare në Kick Boks dhe për më tepër rezultatet i ka pasur mjaftueshëm të larta. Një titull kampion bote në nivelin amator dhe tre fitore në nivelin profesionist bëjnë që vajza nga Vlora të jetë krenare për arritjet e saj në këtë sport.

Në një rrëfim për Gazeta Si, Lelo tregon lidhjen e saj me sportin dhe se si nisi gjithçka, kur ajo ishte fare e vogël.

“Kur unë fillova, Kick Boksi, nuk ishte shumë sport i përhapur dhe unë në fakt nuk e njihja fare përveç atyre që kisha parë nëpër filma.”- thotë Ilda Lelo, teksa shton “Njihja vetëm boksin që e dija si sport. Unë në fakt jam marrë me sport gjithmonë. Jam marrë me volejboll që 13 vjeç, por gjithmonë për pasion, pa ndonjë angazhim shumë serioz, pasi ishin gjithmonë prindërit e mi, ata që më thoshin që duhet të fokusohesha më shumë te mësimet se sa te sporti, pasi nuk shikonin ndonjë të ardhme për mua në këtë drejtim.”

Ka qenë volejbolli lidhja e saj e parë me sportin, por shpejt e kuptoi se në këtë disiplinë nuk kishte ndonjë të ardhme të ndritur.

“Me volejboll u mora për disa vite. Kam qenë në ekipin e volejbollit të Vlorës, por asnjëherë si angazhim profesional. Mbaj mend që kur kam qenë 6 vjeç është hapur një ekip karateje në Vlorë për herë të parë dhe unë i jam lutur për ditë me radhë atij që të më fustë në karate, por nuk pranoi, pasi e konsideronte një sport shumë burrëror. Edhe kur pranoi të më fusë në volejboll, vetëm pasi pa vendosmërinë dhe pasionin tim për sportin.

Në volejboll kam luajtur me dy ekipe në Vlorë dhe me një ekip këtu në Tiranë, UMB. Kur erdha këtu fillova shkollën dhe mendova që të shkoja thjesht sa për të mos e humbur si sport dhe gjithashtu të mbaja trupin në formë, pasi për të thënë të vërtetën, vajzat e UMB në ato vite ishin shumë lartë, ishin pjesa kryesore e kombëtares dhe nuk e diskutonin për asnjë moment fitimin e kampionatit dhe mua do më duhej shumë punë.

Unë në atë periudhë përveç faktit që nuk isha në nivelin e ekipit dhe për më tepër oraret e stërvitjes më përplaseshin me oraret e mësimit. Pasi unë kur erdha në Tiranë në vitin 2013 fillova studimet në Universitetin e Tiranës, në fakultetin Ekonomik.  Duke parë këtë situatë, gjendjen time, nivelin e ekipit dhe kohën që kisha në dispozicion, vendosa që të shkëputesha dhe të fokusohesha vetëm te shkolla. Në këtë moment i thashë vetes, Ilida duket se kaq ishte historia jote me sportin.”

Ndarja me volejbollin ishte sinjali i parë për vlonjaten që duket se ishte e destinuar për të ushtruar një tjetër sport. Rastësisht ajo do të lidhej me një tjetër sport, që do të bëhej pjesë e pandashme e jetës së saj. Çdo gjë filloi me sportin e vetëmbrojtjes, Krav Maga.

“Ngaqë unë isha marrë gjithmonë me sport, fillova t’ia ndjeja mungesën dhe kisha ndërmend që të filloja palestrën dhe diçka që të më mbante të angazhuar fizikisht. Dhe në këtë moment, rastësisht në internet me doli një që do të hapej një kurs për Krav Maga në Tiranë. Është një sport për vetëmbrojtje dhe do të hapej në Tiranë dhe për më tepër që ishte afër. Nga ky moment filloi kontakti im i parë me këto lloj sportesh dhe të plotësoja ëndrrën time që e vogël.”- thotë sportistja nga Vlora.

Por Krav Maga ishte vetëm stacioni i parë për karrierën e saj, që destinacion final do të kishte Kick Boksin. Sërish fati hyri në mes dhe Ilda Lelo do të merrte pjesë në një eveniment të Kick Boksit, nga ku ra në kontakt për herë të parë me atë që do bëhej mentori i saj në këtë sport. Ishte trajneri i Kick Boksit, Alban Alikaj që kur e kishte parë në fillim nuk ishte bindur, por tashmë është në krahë të saj në kërkim të sukseseve të radhës.

“Edhe duke qenë se kisha disa aftësi dhe isha e koordinuar dhe kam qenë mirë, edhe më thotë  ai trajneri që do të organizohet një kampionat Kick Boksi në Vlorë. Në fillim unë nuk doja të shkoja dhe i thashë trajnerit tim që unë as nuk ia kam idenë se çfarë sporti është Kick Boksi dhe jo më të ndeshem me kundërshtarë të tjerë. Por ai këmbënguli se unë kisha talent dhe se mund të bëja mirë, edhe pse nuk është se kisha marrë shumë mësime për këtë sport. Dija vetëm disa lëvizje këmbësh dhe duarsh, pasi i kisha mësuar te palestra. Ai më tha që nuk do të jetë shumë impenjative dhe unë thashë, Ok, thjesht vetëm sa për ta provuar, pasi fundja nuk kisha çfarë të humbisja.”

“Unë e mora në fillim diçka vetëm për qejf dhe për të kaluar kohën. Dy ditë para turneut shkova te palestra e trajnerit Alban Alikaj, për të marrë disa udhëzime fillestare se si të qëndroja në ring dhe se si të ndeshesha. Kur ai më pa në fillim, më pa më një dyshim të madh, sikur donte të më thoshte, ku po vete? Dhe pas këtyre dy ditëve trajnim unë u ndesha në këtë turne me një vajzë nga Peqini. Ajo kishte më shumë se dy vite që merrej me Kick Boks dhe kishte marrë pjesë në disa kompeticione dhe disa ndeshje, pra kishte më shumë eksperiencë se unë. Dhe normalisht e humba. Por ajo që më bën përshtypje, është se nga ajo ndeshje e parë nuk mbaj mend shumë gjëra, pasi emocionet ishin në kulm.”

Filloi me humbje aventura e saj në Kick Boks, por mbase ka qenë më mirë që ka ndodhur kështu, pasi ajo disfatë e parë duket se ka zgjuar shpirtin vlonjat te Ilda Lelo, që në atë moment vendosi t’i hynte seriozisht këtij sporti.

“Por nga kjo humbje, duket se shërbeu që të më motivonte më shumë. Thashë me vete unë erdha këtu deri në këtë pikë me vetëm pak ditë stërvitje, nuk është mirë që të tërhiqem dhe nuk ka shanse që ta lë këtu në mes këtë gjë që nisa. Pas kësaj mu dha mundësia që të bëja edhe një tjetër ndeshje dhe hap pas hapi duke vazhduar stërvitjen me trajnerin, Alban Alikaj iu dedikova këtij sporti.”

Rezultatet e saj të deri tanishme janë të larta, kur krahasohen me ato që ka arritur jashtë vendit, pasi për momentin në Shqipëri është e vetmja që ushtron Kick Boksin në nivel profesionist.

“Në nivelin amator kur luan me kokore dhe mbrojtëse këmbësh, humba ndeshjen e parë dhe pastaj tre të tjerat i fitova. Kam 15 ndeshje në amator dhe më pas kalova në nivelin profesionist. Në profesionist kam 6 ndeshje, 2 fitore, 2 barazime dhe 2 humbje.  Momentalisht unë jam e vetmja vajza që vazhdoj ta ushtroj Kick Boksin në nivelin profesionist në Shqipëri. Të gjitha vajzat që e kanë lënë pak a shumë arsyet i kanë pasur të njëjta, nuk shikojnë të ardhme me këtë sport, por edhe sepse financiarisht nuk kanë pasur mbështetje.”

Për të janë shumë të rëndësishme të gjitha kompeticionet ku ka marrë pjesë dhe sigurisht medaljet dhe vlerësimet që ka marrë. Në këtë pikë ajo rrëfen për Gazeta Si një aspekt të dhimbshëm për shumë sportist shqiptar. “Atje ne shkuam privatisht, por gjithsesi ne përfaqësuam Shqipërinë dhe mbajtëm lart flamurin tonë...”- tregon me krenari dhe thekson që edhe kur u shpall kampione bote askush nuk e përkrahu nga instancat shtetërore. “Në vitin 2015 në Itali, mbahej kampionati botëror. Në donim të shkonim si ekip kombëtar, por për shkak të financave nuk shkuam. Por ne ekipi i Vlorës, arritëm të mblidhnim fonde dhe shkuam tre sportistë privatisht në këtë aktivitet. Dhe fati i madh ishte që ne dolëm shkëlqyer në këtë aktivitet, që të tre. Unë në kategorinë time dola në vendin e parë dhe medalje ari. Pra që nga nëntori i vitit 2015, unë u shpalla kampione bote në peshën time 65 kg në seksionin amator.”

Për të nuk ka shumë rëndësi nëse fiton apo çfarë medalje merr në qafë, por mbi të gjitha qëndron argëtimi dhe përfaqësimi dinjitoz. “Mua më pëlqen shumë kur jam maksimumin dhe e diskutoj fitoren deri në fund. Ajo që mund të veçoj ishte përballja e fundit me një kundërshtare italiane, e cila ishte me më shumë eksperiencë se sa unë. Ishte një ndeshje që më pëlqeu shumë, pasi edhe pse humba, mësova shumë dhe nuk mora asnjë dëmtim, domethënë u argëtova.”

Edhe me gjithë këto pengesa dhe asnjë mbështetje financiare nga strukturat shtetërore, Ilda Lelo nuk pranon që të dorëzohet, por thotë se do ta vazhdojë të ngjitet në ring dhe të ngrejë sa më lartë flamurin shqiptar. Nga shteti nuk shpreson asgjë dhe vijon të jetë e bindur se një ardhme më e mirë e pret.

“Unë për vete vazhdoj të shikoj të ardhme në këtë sport. Në Shqipëri nga ana financiare nuk ia vlen të merresh me këtë sport. Por e vetmja zgjidhje, sigurisht brenda sportit është që unë të filloj të ushtrohem edhe si trajnerë. Për momentin kjo është një lloj zgjidhje dhe kam disa ekipe që i stërvit në Vlorë. Kjo është një gjë e mirë edhe për zhvillimin e këtij sporti, pasi unë e shikoj edhe si një proces të dhënies të eksperiencës. Ndoshta kam pasur edhe fat, pasi kam marrë pjesë në disa aktivitete ndërkombëtarë dhe jam ndeshur me kundërshtarë të huaj. Mund ta them që kam punuar shumë për ta ardhur këtu ku jam sot, por nuk dua të lë jashtë edhe fatin e madh që kam pasur gjatë gjithë karrierës sime. Por edhe mbështetjen e vazhdueshme që kam marrë si nga klubi Fight Club Vlora, por edhe nga familja, e cila në fillim ishte skeptike për këtë sport, por tani është krah meje.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë