Inspektori i Lartë i Drejtësisë i kërkoi Këshillit të Lartë Gjyqësor shkarkimin e tre gjyqtarë të Gjykatës së Apelit të Durrësit, që u dënuan për korrupsion pas skandalit të famshëm “El Classico”.
ILD kërkon shkarkimin e Kliton Spahiut dhe Petraq Dhimitrit. Gjyqtarët e Apelit të Durrësit, Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri dhe Petrit Çeno (i shkarkuar nga vettingu) u dënuan me burg për korrupsion, që u konvertua në shërbim prove, për një udhëtim të tetorit 2014 drejt Spanjës për të parë ndeshjen e futbollit mes Realit të Madridit dhe Barcelonës me shpenzimet e një biznesmeni durrsak, që ishte palë në një proces gjyqësor që po shqyrtonin.
Dëshmitë e mëvonshme të gjyqtarëve nxorrën në pah se veç kësaj, dy gjyqtarët, Kliton Spahiu dhe Petraq Dhimitri qëndruan në periferi të Napolit në shtëpinë e një eksponenti të fuqishëm të Camorras me emrin Ferdinando Muollo.
“Unë, kolegu im Kliton Spahiu dhe miku ynë i përbashkët Artan Shqypi kemi qëndruar në banesën e shtetasit italian Ferdinando Muollo, në periferi të Napolit,” deklaronte gjatë procesit gjyqësor te ish-Gjykata e Krimeve të Rënda, gjyqtari Petraq Dhimitri, duke kundërshtuar pretendimin e Prokurorisë se udhëtimi i tyre ishte paguar nga një biznesmen durrsak.
Ferdinando Muollo rezultonte person me pasuri që përllogaritej në mijëra euro në Shqipëri, pasuri që iu vendos masa e sekuestros. Ai rezulton gjithashtu si i dënuar me burg për një vrasje të kryer në vitin 2002 në Itali. Muollo ishte nën vëzhgim nga antimafia italiane si pjesë e një klani të Camorras dhe në 2018 u dënua me 12 vite burg pas një sërë hetimesh.
Hetimet ndaj Kliton Spahiut, Petraq Dhimitrit dhe Petrit Çenos nisën në 2015, një vit pas udhëtimit për të parë “El Clasicon”, pas sinjalizimit se në një proces gjyqësor gjyqtarët kishin favorizuar pikërisht biznesmenin që u kishte paguar shpenzimet e udhëtimit për në Barcelonë.
Në një tjetër kërkesë, ILD i propozon KLGj-së shkarkimin e gjyqtares Evgjeni Sinoimeri me arsyetimin se prej një viti nuk paraqitet në detyrë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



