Nga Gazeta “Si” -Opera botërore “Il Trovatore” e Giuseppe Verdit rikthehet në skenën shqiptare me një produksion të ri, nën regjinë e Roberto Catalanit, realizuar në bashkëpunim me Teatro “Amilcare Ponchielli” Cremona, Teatro Grande Brescia, Teatro Sociale Como dhe Teatro Fraschini Pavia.
Ky rikthim shënon një moment të veçantë për publikun. Pas 24 vitesh ngjitet sërish në skenën shqiptare tenori me karrierë ndërkombëtare Josif Gjipali, i cili interpreton rolin e “Manricos”.
Për herë të parë në skenën e TKOBAP-së debuton në një produksion operistik mezzosopranoja shqiptare me famë ndërkombëtare Enkeleida Shkoza, në rolin dramatik të “Azucenës”. Rolin e “Conte di Luna” e interpretojnë baritoni Ankhbayar Enkhbold dhe baritoni i njohur i teatrit Armando Likaj, ndërsa në rolin e “Leonorës” ngjiten sopranot Eva Golemi dhe, në kastin e dytë, Ramona Tullumani.

Në kastin alternativ, rolin e “Azucenës” e sjell mezzosopranoja Ivana Hoxha, ndërsa “Manrico” interpretohet nga tenori Amadi Lagha. Publiku do të ndjekë gjithashtu Bledar Domin në rolin e “Ferrandos”, Suada Gjergjin dhe Greis Shametajn si “Ines”, si dhe Matias Xhelin e Redon Sinellën që ndajnë rolin e “Ruiz”. Roli i “Un vecchio Zingaro” dhe “Un messo” i është besuar Erlind Zeraliut.
Orkestra Simfonike dhe Kori i TKOBAP-së, të drejtuar nga dirigjenti Andrea Solinas dhe dirigjenti i korit Dritan Lumshi, përmbyllin këtë produksion të madh, duke sjellë për publikun një eksperiencë artistike ku ndërthuren muzika, drama dhe pasioni Verdian në një shfaqje monumentale.
“Il Trovatore” do të shfaqet në datat 11-12-13 Dhjetor , në orën 19:00
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



