Vijojnë ndryshimet në radhët e Policisë së Shtetit. Sot është larguar nga posti i drejtorit të policisë së Elbasanit, Altin Qato. Vendin e tij do ta zërë Arjan Muça, shefi i Njësisë Operacionale të Policisë së Shteti.
Muça, është një emër i njohur për publikun, pasi ai ishte drejtuesi i njësisë operacionale gjatë arrestimit të Dritan Dajtit në 7 gusht 2009 në Durrës, ku u ekzekutuan katër oficerë policie.
Altin Qato ishte në krye të policisë së Elbasanit për dy vite, ndërkohë para se të komandohej drejtues në Policinë e Elbasanit, ai mbante detyrën e Zëvendës Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ndërsa më parë ka qenë edhe Drejtor në Drejtorinë Kundër Krimit.
Qato ka drejtuar Drejtorinë e Policisë së Beratit si edhe të Shkodrës për disa vite. Ai u ngarkua nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit në atë kohë Haki Çako që të riorganizonte nga e para Drejtorinë e Policisë Elbasan, drejtuesit e së cilës u shkarkuan pas përplasjes së makinës së policisë pranë tregut agro-ushqimor në Elbasan në vitin 2017.
Elbasani njihet si qyteti më problematik në vend për shkak të kriminalitetit dhe bandave që kontrollojnë qytetin, i cili u trondit së fundmi nga vrasja e avokatit Ravik Gurra.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




