Portofol

Ikën edhe banka e fundit greke, hungarezët e OTP blejnë Alpha Bank për 55 mln euro

Dega e Alpha Bank në Shqipëri shitet te banka hungareze OTP. Marrëveshja është arritur sipas një njoftimi të shpërndarë nga zyrat qendrore të bankës greke në Athinë.

Transaksioni ka kushtuar 55 milionë euro për blerjen e 100 për qind të aksioneve nga ana e hungarezëve.

Alpha Bank është njëra prej katër bankave më të mëdha greke dhe e fundit që kishte ende një degë të saj në Shqipëri. Në mesin e këtij viti, ajo zotëronte 4.8 për qind të tregut bankar shqiptar, me një total aktivesh prej rreth 80 miliardë lekësh.

Planet e aksionerëve të saj për të shitur degën e Shqipërisë shqetësuan Qeverinë greke, që e konsideroi këtë një vendim kundër interesave të saj gjeopolitike dhe ekonomike në rajon.

Mediat greke thanë se Qeveria u kërkoi drejtuesve të bankës tërheqjen nga vendimi për të nxjerrë në shitje degën e Shqipërisë, por çështja është konsideruar e mbyllur, pasi vendimi për shitjen e saj ishte marrë dhe mbetej vetëm zyrtarizimi.

Aq shqetësues ka qenë ky vendim për Qeverinë greke, sa ka ndërhyrë vetë ministria e Jashtme përmes këshilltarit të saj për çështjet financiare, Alexis Patelis. Patelis ka kontaktuar me drejtuesit e degës qendrore në Athinë të Alpha Bank për të parë mundësinë e anulimit të këtij vendimi.

Qeveria greke shprehu në atë kohë gatishmërinë për ta ndihmuar edhe financiarisht Alpha Bank përmes kredive të buta të posaçme nga fondi i emergjencës për të përballuar pasojat e Covid.

Alpha Bank ishte banka e fundit greke në Shqipëri. Dy të parat, Tirana Bank, që ishte pjesë e “Pireus Group” u ble nga biznesmenë shqiptarë dhe Banka Kombëtare Greke, NBG u ble nga American Bank of Investments.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë