Gazeta Si - Andrw Bode, një 44-vjeçar nga Berati, dyshohet se është personi i shpallur në kërkim si ekzekutori i biznesmenit Edmond Papa.
Banues në Tiranë, Bode ka mbajtur më herët një emër tjetër, por për shkak të problemeve me drejtësinë, e ka ndërruar para disa vitesh.
Dyshohet se ai është ndihmuar nga Albano Velo për të eliminuar Papën në një lokal në zonën e Selitës për hakmarrjen e vrasjes së Aleksandër Sadikajt në qershor të vitit të shkuar.
Policia dyshon se ai mund të jetë larguar jashtë vendit ilegalisht, pasi në sistemin TIMS nuk figuron që të ketë dalë në ndonjë nga pikat e kalimit kufitar.
Autori i dyshuar i vrasjes, u identifikua së bashku me Albano Velon, i cili është arrestuar një ditë më parë.
Bode u filmua nga kamerat e sigurisë së një lavazhi afër vendngjarjes, teksa shfaqet me një makinë tip "Audi", të cilën Albano Velo e dërgoi për ta larë.
Makina që drejtohej nga 30-vjeçari, është përdorur për ruajtjen e lëvizjeve të biznesmenit, si dhe për të marrë ekzekutorin Bode pas krimit.
44-vjeçari ka mbërritur në vendin e ngjarjes me një makinë tip “Smart” të marrë me qira.
Pasi ka qëlluar mbi Edmond Papën, është larguar me “Audi”-n e drejtuar nga Velo, duke udhëtuar së bashku në autostradën Tiranë-Durrës.
Në mbrëmje janë kthyer e kanë ndaluar në një pikë karburanti dhe Bode ka zbritur në zonën e Astirit.
Më pas Bode ka marrë një taksi dhe është drejtuar drejt banesës së tij në zonën e Kodrës së Diellit.
Një ditë pas ngjarjes, më 17 dhjetor, ai ka marrë nga vendi i krimit “Smart”-in që kishte lënë të parkuar.
Policia dyshon se krimi mund të ketë lidhje me vrasjen e Aleksandër Sadikajt në atentatin me tritol të qershorit të vitit 2022 në afërsi të rrethrrotullimit të TEG-ut.
Bode dhe Velo rezultojnë të kenë njohje me Sadikajn, por nuk është ende e qartë lidhja apo konflikti që mund të kenë pasur Sadikaj dhe Papa me njëri-tjetrin.
Nga ana tjeter, prokuroria ka kërkuar thellimin e hetimeve, ku në pyetje do të merret Dilvaer Velo, babai i Albanos dhe punonjës policie, për të mësuar nësë dajli i tij ka pasur kontakte me persona me precedent kriminal.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.