Policia e Tiranës ka bërë të mundur identifikimin dhe ka shpallur në kërkim autorin e ekzekutimit 40-vjeçarit Hekuran Billa, te Komuna e Parisit, në Tiranë, mbrëmjen e të enjtes.
Burime nga policia bëjnë me dije se autori i vrasjes është 34 vjeçari Viktor Marku, ndërsa nuk dihen ende bashkëpunëtorët e tij në krim. Autori është vëllai i 22-vjeçarit Prel Marku, i vrarë nga Billa, në vitin 2006, në Angli.
NGJARJA:
Në vitin 2006 dyshohet se kur Hekuran Billa së bashku me dy shtetas shqiptarë, anëtar të bandave shqiptare në Britaninë e Madhe u përfshi në vrasjen e Prel Markut. Në lokalin ku ndodhi krimi dëshmitarët gjatë procesit gjyqësor të mëvonshëm përshkruan se si u qëllua me breshëri arme dhe se si tre burra mbetën të dëmtuar. Njëri prej tyre ndërroi jetë menjëherë, ndërsa dy të tjerë u plagosën. Më pas, të tre vrasësit u larguan për t’u arrestuar gjatë ndjekjes, ndërkohë që gjatë hetimeve Billa u konsiderua fajtor nga drejtësia britanike dhe u dënua me burgim të përjetshëm, një dënim që drejtësia atje e zbriti në 34 vjet. E ndërsa Billa pritej ta vuante dënimin në vendin ku vuajti krimin, ai sipas dokumenteve që gazeta Si disponon, shfrytëzoi marrëveshjen mes dy shteteve për të kërkuar ekstradim. Mbas mbajtjes në burgjet britanike, kuksiani u soll në Shqipëri dhe konkretisht në vitin 2016. Pas një sërë kërkesash prej tij, ai u lirua dhe u vendos si i dënuar me kusht. Por një sërë manovrash juridike tregojnë se si fillimisht Billa u refuzua nga gjykatat në kryeqytet. Avokatët e tij e testuan gjykatën përmes një prokure të firmosur nga i ati i vrasësit për të riparë vendimin e gjykatës së Kurorës Snaresbook, ku kërkohej njohje e vendimit të drejtësisë britanike.
Gjykata vendosi dënimin e tij të përjetshëm, duke konsideruar se vuajtja e dënimit kishte nisur një vit pas krimit, pra në vitin 2007, mbi akuzat e vrasjes, vrasje të mbetur në tentativë dy herë dhe plagosje për të shkaktuar lëndim trupor, një vendim i cili më pas u kthye në liri me kusht dhe shërbim prove.
Viktima
Policia ka dyshime të forta se Billa kishte vetëm pesë ditë që ishte kthyer nga Belgjika. Këto janë të dhëna në rrugë informative, thanë agjentë të hetimit të krimeve. Por, ndërkohë viktima rezulton se jetonte në fshatin Domje dhe se kthehej shpesh në zonën ku u vra, pasi aty jeton motra e tij. Kjo i bind hetuesit se viktima është ndjekur dhe vrojtuar për itinerarin e tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




