Ngjarje

ID dhe pasaportë nga shteti, procesi i njëjtë si në kohën e privatit. Kuponi i vjetër i Aleat shkëmbehet me të ri në Postë

Nga Gazeta ‘SI’ – Më datë 1 gusht, një nga shërbimet më të rëndësishme në vend, ai i prodhimit të mjeteve identifikuese, kaloi në dorë të shtetit. Mesnatën e kësaj date u prodhua pasaporta e parë në logon e IDENTITEK, kompanisë shtetërore shqiptare.

Pas një koncesioni 15 vjeçar me kompaninë private franceze ALEAT, qeveria vendosi t’ja kalojë këtë shërbim kësaj kompanie, por me asnjë ndryshim.

Në një vrojtim të bërë nga Gazetasi.al në dy nga postat e kryeqytetit, atë të njësisë 5 dhe 8, situata ishte njësoj si më parë. Punonjëset treguan se vetëm ditën e parë, me datë 1 ishin përballur me fluks të shtuar, përgjithësisht për informim.

“Kuponat erdhën të rinj por janë njësoj, asnjë ndryshim. Edhe çmimet. Ka ndryshuar vetëm pronësia” thotë njëra nga punonjëset në anonimitet për Gazeta Si, duke sqaruar se nuk ka pasur numër të lartë njerëzish gjë që konfirmohet edhe nga zyrat bosh të postave.

Dy ditët e para 1 dhe 2 gusht, mund të tërhiqeshin vetëm kuponat e zakonshëm të kartës ose pasaportës dhe më 3 gusht kanë mbërritur dhe ato të përshpejtuarat.

Ndonëse afati i përdorimit të kuponave ALEAT ka skaduar më 26 korrik, ata që kanë blerë kuponët e vjetër me logon e ish-koncensionarit, dhe që nuk i kanë përdorur, tashmë kanë mundësinë t’i shkëmbejnë me kuponët e rinj të kompanisë shtetërore “IdentiTek”, pranë Postës Shqiptare

Gazetasi.al, vizitoi edhe njësinë bashkiake numër 5 në kryeqytet, ku disa të moshuar kërkonin shërbime të tjera dhe nuk kishte fluks për ID apo pasaporta.

Njëra nga punonjëset thotë për Gazetasi.al se “ka ndryshuar vetëm ngjyra e kuponit”. Afatet janë të njëjta për marrjen e dokumenteve.

“Proceset janë njësoj. Nëse aplikimi i fundit për pasaportë është më vonë se viti 2012, mund të bëhet aplikimi direkt në polici, pa patur nevojën e rezervimit. Nëse është bërë më herët se viti 2012, duhet të bëhet aplikimi në e-albania”, shpjegon ajo.

Punonjëset e njësisë 5 nuk presin punë të shtuar me ardhjen e emigrantëve duke thënë se shumica prej tyre i kanë bërë aplikimet më herët, kur në qarkullim ishin ende kuponat e ALEAT. Kjo kompani do të qëndrojë deri në fund të gushtit në vend, për të monitoruar procesin.

Një shqetësim pas vendimit të largimit ishte ai i shkurtimit të punonjësve, por IDENTITEK do të vazhdojë të mbajë të njëjtat zyra dhe punonjës si kompania paraardhëse.

Kompania u krijua me vendim të Këshillit të Ministrave dhe do të drejtohet nga 35-vjeçarja Loina Prifti.

Ideja u prezantua në fund të vitit 2022, nga ish-ministri i Brendshëm Bledi Çuçi kur njoftoi largimin e koncesionarit francez. Referuar dhe qëllimit kryesor të shtetëzimit të një shërbimi, atë të uljes se kostove, Çuçi premtoi rishikim dhe ndryshim tarifash, që në fakt nuk ndodhi. Ministri i atëhershëm theksoi se do ta ketë në dorë kompania të ulë apo jo tarifat.

“Ne do ta rishohim edhe çështjen e tarifave sepse në momentin që kjo kompani apo prodhimi i kartave biometrike do të kalojë në dorë të një kompanie shtetërore shqiptare, është në kopentencën e plotë të kësaj kompanie për të marrë vendimet e duhura në lidhje me tarifat. Dhe kjo gjë do të shihet kur të marrë kompetencën kompania shqiptare. Ju garantoj që për dokumente që janë të detyrueshëm, kemi ndjeshmërinë për të reduktuar tarifat, ndërsa për dokumente që nuk janë të detyrueshëm…Politikisht them se kemi qëllim t’i reduktojmë dhe pse jo mund t’i çojmë në zero, nëse shohim se kjo është e mundur”, tha ish-ministri Çuçi.

Tarifat e pandryshuara të shërbimit do të thonë se shtetit i është shtuar një burim i ri dhe i qëndrueshëm financash, ku referuar shifrave të ALEAT, fitimet vjetore arrinin miliona euro.

Këtë të mërkurë edhe Ministri i Brendshëm Taulant Balla aplikoi sot që në orët e para të mëngjesit për rinovimin e pasaportës biometrike. Ai ka ndjekur të njëjtën procedurë, pas marrjes së kuponit është paraqitur në zyrat e “IdentiTek” për të vijuar me depozitimin e të dhënave biometrike.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë