Ekonomi

Ibrahimaj: Shqipëria ka performuar më mirë se vendet e rajonit. Çmimet e larta ulën eksport-importet

Nga Gazeta ‘SI’ – Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, tha se pritet përmirësim i ekonomisë së vendit deri në fund të 2022-shit, duke kaluar dhe shifrën e parashikuar prej 3.2% të rritjes ekonomike. Në prezantimin mujor të ecurisë ekonomike, ajo tha se Shqipëria në 8 mujor ka rezultuar me inflacionin më të ulët dhe ka performuar më mirë se vendet e rajonit të cilat po përballen me pasojat e pandemisë dhe nuk kanë përjetuar ende krizën momentale.

“Në krahasim me 2019-n, aktiviteti ekonomik është rritur me 7.7% në tremujorin e parë. Kontributin kryesor në rritje të PBB-së e ka pasur transporti dhe aktiviteti i pasurive të paluajtshme. Sektorët që patën kontribut negativ ishin ndërtimi dhe industria nxjerrëse e përpunuese. Investimet e huaja direkte kapën vlerën e 634 mln eurove për 6 mujorin e parë. Kreditimi u rrit me 12.6% dhe depozitat me 7.5%, në raport vjetor”, -raportoi Ibrahimaj.

Sipas ministres, rritja e pagave dhe e remitancave janë elementë pozitivë të financimit të konsumatorëve që tregojnë se shpenzimet e tyre do të jenë të qëndrueshme. Eksportet dhe importet gjatë kësaj periudhe, raportohen në rritje në vlerë, por në rënie të volumit. Të ardhurat janë rritur me 15.9% nga çmimet dhe rritja e TVSH-së. 60% i inflacionit vendas është i importuar dhe 40% i brendshëm.

“Nëse do të shohim treguesit e tregtisë së jashtme kemi pasur një rritje të importeve dhe eksporteve në vlerë. Importet janë rritur me 25%. Rritje importeve në vëllim dhe në vlerë. Reflektimi i rënies është i lidhur me uljen e kërkesës për shkak të çmimeve shumë të larta. Sa i përket sektorëve që janë lidhur me aktivitetin prodhues në vend, kryesisht ekspertët e manifakturës kanë pësuar një rritje në vlerë dhe në vëllim. Sa i takon shpenzimeve qeveritare në 8 muaj, kemi pasur shpenzime 1.4% më të larta”, -tregoi ministrja e Financave.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë