Ekonomi

Ibrahimaj: Paketa e dytë e rezistencës sociale në shtator. Tatimet ‘vizita’ nëpër biznese për pagat informale

Nga Gazeta ‘SI’ – Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj, njoftoi se paketa e re ekonomike, si masë ndaj rritjes së çmimeve do të jetë gati në muajin shtator. Pa zbuluar detaje specifike, ministrja tha se paketa e re do të ketë të njëjtat masa për bizneset dhe konsumatorët.

“Në do të vijojmë të kemi politikë mbështetëse për shtresat në nevojë. Në korrik është bërë Akti Normativ për ndërhyrjet në buxhet dhe do të përfshihen masat e marra deri më tani”, -tregoi ministrja Ibrahimaj.

Më tej ajo sqaroi procesin e planit të kontrollit për informalitetin e pagave që do të kryhet nga Drejtoria e Tatimeve. DPT-ja ka dërguar letra paraprake në bizneset që do të përfshihen në kontroll dhe ato kanë pasur afat deri më 20 gusht të përgjigjen. “Tatimet do të kryejnë analiza dhe ‘vizita fiskale’ tek bizneset sipas reagimit të tyre”, – tha Ibrahimaj në konferencë.

Ministrja shtoi dhe se pasqyra ekonomike në vend ishte pozitive gjatë tremujorit të dytë dhe pritet njësoj edhe për tremujorin e tretë.

“Në raport vjetor, të ardhurat janë rritur më shumë se sa inflacioni. Inflacioni është më i kontrolluar se në vendet e tjera. Elementi që ka ndikuar më shumë në rritjen e çmimeve janë ushqimet dhe pijet. Që nga fillimi i vitit ne kemi pasur një stabilizim të çmimeve. Ecuria ndikohet më së shumti edhe nga kërkesat. Treguesi i bizneseve aktive është rritur me 3.4% nga korriku 2021 dhe për vitin 2022 janë hapur mbi 11 mijë biznese”, -u shpreh ministrja e Ekonomisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë