Politike

Ibrahimaj: Ekonomia në rritje, përballojmë edhe krizën energjitike. S’ka rrezik nga PPP-të

Qeveria thotë se deklarata e Fondit Monetar Ndërkombëtar mbi rreziqet që i kanosen ekonomisë shqiptare duhet lexuar me vëmendje, sepse ajo deklaratë, sipas ministres së Financave ndan mendimin se ekonomia është në përmirësim.

“Deklarata e FMN duhet të lexohet me vëmendje. Ndamë një mendim të përbashkët me FMN që ekonomia ka ardhur në përmirësim, ka treguar stabilitet në përballimin e dy krizave, tërmetit dhe pandemisë dhe i ka të gjitha potencialet për të përballuar krizën energjitike nëse do të përmbahet në përmasat që parashikohet në tregjet ndërkombëtare”, deklaroi ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj.

Ibrahimaj e lexoi rritjen e çmimeve si shenjë garancie për rritjen e ekonomisë. Duke cituar Bankën e Shqipërisë, Ibrahimaj hodhi poshtë akuzat e PD se normat e interesit të borxhit do të rriten duke rënduar edhe më tej xhepat e shqiptarëve.

“Banka e Shqipërisë nuk pret që të rrisë normat e interesit. Inflacioni në shtator ishte 2.5 për qind. Banka e Shqipërisë vlerëson se inflacioni duhet 3 për qind për ta garantuar rritjen ekonomike, që parashikohet të arrihet vitin e ardhshëm”, tha ministrja.

Sipas ministres Ibrahimaj, nuk ka asnjë sinjal për varfërimin e xhepave të shqiptarëve

“Pagat janë rritur dhe do të vazhdojnë të rriten. Të ardhurat e disponueshme për familjet shqiptare kanë ardhur në rritje gjatë viteve të kaluara dhe do të vazhdojnë të rriten”, deklaroi ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë