Ekonomia shqiptare pritet që të ngadalësohet vitin që vjen, por gjithsesi vendi nuk pritet që të shkojë në recesion.
Kështu deklaroi ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, në fjalën e mbajtur në samitin rajonal të ministrave të financave dhe guvernatorëve, që po zhvillohet në Mal të Zi.
“Deri tani jemi ende në një moment të mirë ekonomik. Të ardhurat po rriten, punësimi po përmirësohet por ne kemi frikë se në pjesën e mbetur të vitit dhe vitin tjetër, do të ketë ngadalësim të aktivitetit ekonomik. Ende besojmë se nuk do të ketë recesion”.
Ibrahimaj shtoi se vendi nuk mund të përballojë më që të rrisë borxhin dhe tendenca do të jetë për konsolidim fiskal.
“Po hartojmë buxhetin për vitin 2023 dhe tre sfidat që kemi lidhen me rritjen e kostos së borxhit, nëse vitin që vjen do të na duhet të kemi mbështetje për krizën e energjisë dhe kemi sfidën që të kanalizojmë investimet në ato sektorë që të sjellin rritje afatmesme”.
Ajo shtoi se situata vitin e ardhshëm do të jetë e njëjtë.
“Lufta nuk ka mbaruar dhe për vitin që vjen presim të njëjtën situatë si tani. Banka qendrore ishte në linjë me politikën tonë për të luftuar inflacionin. Banka rriti normat e interesit dhe kombinimi i politikave monetare e fiskale deri tani ka rezultuar pozitiv. Inflacioni mesatar është 6.9%, më i ulët se Ballkani Perëndimor dhe mesatarja e Europës, që është i lidhur dhe me vendimin tonë për të mos ndryshuar çmimin e energjisë”.
Ibrahimaj shtoi se qeveria ka ndihmuar ekonominë përmes paketave mbështetëse, rritjes së pagave në sektorin shtetëror, rritjes së pagës minimale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.