Ekonomi

Ibrahimaj: Do monitorojmë çdo ditë fitimet e kompanive të naftës. Deri më tani, s’ka Bord!

Nga Gazeta ‘SI’ – Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj u shpreh sot se qeveria do të monitorojë marzhet e fitimit të kompanive të naftës, në bashkëpunim me Doganat, me bazë ditor, për të shmangur abuzimet nga tregtarët.

Përballë gazetarëve, Ibrahimaj tha se qeveria nuk po konsideron ende të rikthejë Bordin e Transparencës, sepse situata nuk është aq alarmante, por mund të ndodhë nëse ka dyshime për spekulime e abuzime.

“Kemi pasur eksperiencë gjatë krizës 2022-2023 ku çmimi i naftës u rrit, kur u ngrit një bord, nuk vlerësojmë se ende jemi në fazën që duhet të kemi nevojën për ngritjen e bordit, por nëse situata vijon do të duhet të hyjmë në këtë regjim. Ne do të marrim nga administrata doganore çmimet e bursës që i referohet doganave dhe lëndëve që hyjnë në vend. Ne do të marrim çmimet dhe do shohim se me çfarë çmimi zhdoganojnë çdo ditë çmimet e tregut. Ky monitorim do të bëhet për të kuptuar se si vijojnë marzhet Ne nuk mund të ndërhyjmë në çmimet e bursës, por ajo që mund të bëjmë nëse ka abuzime apo spekulime me çmimet kjo është ajo që ne do të ndjekim me bazë ditore”, tha ministrja.

Ndër të tjera, Ibrahimaj tha se në mbledhjen e qeverisë u miratuan disa ligje, në kuadër të integrimit në BE.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë