Biznes

Ibrahimaj: Bizneset dhe entet publike ose do të punësojnë një person me aftësi ose do të paguajnë

Nga Gazeta ‘SI’ – Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, ka vijuar me takimet për nxitjen e punësimit të personave me aftësi të kufizuara duke prezantuar dhe rregullat e reja.

Në takimin me përfaqësues të bizneseve në sektorin e Teknologjisë së Informacionit, ministrja theksoi se bizneset do të kenë dy alternativa; të plotësojnë kuotën një të punësuar me aftësi të kufizuar për çdo 25 punonjës ose të paguajnë në shtet një pagë minimale, çdo muaj.

Paratë do të shkojnë në një fond të veçantë dedikuar këtyre njerëzve.

“Fondi që do të mblidhet nga pagesat e bizneseve apo të enteve publike do të përdoret ekskluzivisht për personat me aftësi të kufizuara, për trajnimin dhe aftësimin e tyre, apo për programet e nxitjes së punësimit që do të ndërmjetësojnë apo ndihmojnë bizneset për të punësuar persona me aftësi të kufizuara. Ne kemi synim që punësimi të jetë në nivel sa më të lartë dhe nuk kemi synim të mbledhim sa më shumë fond”, tha ministrja Ibrahimaj.

Aktualisht, Agjencia Kombëtare për Punësim dhe Aftësim ka filluar krijimin e një databaze për personat me aftësi të kufizuar, e cila do të jetë e disponueshme për bizneset dhe entet publike me qëllim punësimin e tyre.

Duke iu drejtuar pjesëmarrësve në takim, Ibrahimaj tha se sektori i IT është një sektor me potencial të lartë për punësimin e PAK, ndërsa vuri theksin në rëndësinë e rritjes së komunikimit të gjithë aktorëve të përfshirë në këtë proces, forcimit të bashkëpunimit mes AKPA dhe bizneseve, sidomos sa i përket informimit sa më të mirë lidhur me parashikimet dhe detyrimet ligjore.

Takimi me përfaqësues të bizneseve në sektorin e IT është i dyti që Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka zhvilluar lidhur me nxitjen e punësimit të PAK, pas atij të parë të zhvilluar me sektorin financiar, në një kohë që detyrimet për kompanitë dhe entet publike do të hyjnë në fuqi në 1 janar 2024.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë