Arsim

“Ia dolëm!”… Prindër të “çliruar” e të lumtur pas vendimit për një mësim normal

U desh më pak se një javë presion modest që Ministria e Arsimit të tërhiqej dhe t’i kthente orët mësimore në sistemin universitar nga 45 minuta. Prindërit, të gjendur në një situatë të re me fëmijët që dilnin orar pa orar nga shkolla, nisën të organizohen në një peticion i cili në thelb kërkonte organizimin e orëve normale mësimore.

“Ishte sikur hoqa një barrë të madhe”, tregon Drita, nëna e një vajze 7-vjeçare për momentin kur lexoi lajmin se duke nisur nga e hëna, në të gjitha shkollat e vendit do të zhvillohen orë 45-minutëshe dhe pa turne. Ajo thotë se java që po lëmë pas ka qenë një stërmundim për të dhe për vajzën dhe “nëse do të vazhdonte njësoj, do të kishte qenë e detyruar të linte punën sepse nuk ia dilte dot me oraret”. Ajo ndihet e qetë tashmë që mësimi do të vazhdojë normalisht, bashkë me përditshmërinë e familjes së saj.

Prindër të tjerë që Gazetasi.al komunikoi ndjehen njësoj si Drita.

“Është një lehtësim”, shprehet Bledi, një tjetër prind i cili na tregon se ishte detyruar të merrte nënën e tij në shtëpi për të dërguar dy fëmijët në shkollë. Prindërit e tij jetojnë në Durrës dhe e ëma e tij, e moshuar, u detyrua të vinte të jetonte me ta në Tiranë, pasi ai dhe bashkëshortja e tij ishin në punë dhe nuk kishin mundësi të shkonin në shkollë 4 herë, paradite e pasdite.

“U çorientuam të gjithë dhe kur lexova lajmin, isha i lumtur, sikur të kisha lexuar se mbaroi pandemia”, shprehet ai.

Para pak ditësh Gazetasi.al foli me D.F, një infermiere që detyrohej të merrte në urgjencën spitalore ku punonte, 2 fëmijët e saj për shkak të mësimit me turne. Sot Gazetasi.al komunikoi përsëri me të. Ajo thotë se ky lajm është një shpresë që tregon se me reagimet e duhura, mund të arrihen gjërat.

“Shpresoj shumë që historia ime, peticionet dhe gjithë ankesat që janë bërë nga prindërit të kenë shërbyer për të ndryshuar orët mësimore. Për mua ishte lajmi më i mirë që kam marr për një kohë të gjatë”, thotë ajo.

Madje edhe Ministrja e Arsimit Evis Kushi kështu e nisi fjalimin të premten mbrëma: “Nisur nga shqetësimet tuaja të drejta…” Kjo tregon edhe më fort se ishin prindërit ata që falë reagimeve të tyre arritën të “fitonin” mësimin normal.

“Ia dolëm”, thotë një tjetër nënë, e cili shprehet se është e lumtur jo vetëm për faktin se fëmijët do të bëjnë mësim normal, por edhe sepse u tregua se një komunitet mund t’i ndryshojë gjërat.

Reagime të shumta kishte edhe në rrjetet sociale nga prindërit të cilët thonë se ky është një vendim i drejtë dhe se janë të lumtur që u dëgjua zëri i tyre.

“Më në fund u dëgjua zëri i prindërve”, shkruan një prind në video-mesazhin e Ministres.

“Një lajm që na gëzon pa masë”, shkruan një tjetër.

Grupi i prindërve organizatorë të peticionit dhe pjesëtarë të Qëndresës Qytetare, pas lajmit për zhvillimin normal të mësimit

Rigels Xhemollari, nga Qendresa Qytetare thotë për Gazetasi.al se ishte një hap shumë pozitiv si përgjigje e kërkesës që kishin prindërit. Ai ka qenë një nga organizatorët e peticionit.

“Reagimi, peticioni dhe gjithë angazhimi i komunitetit të prindërve solli një efekt pozitiv në këtë vendimmarrje. Shpresoj që kjo të jetë e qëndrueshme dhe të jetë afatgjatë”, thotë Xhemollari.

Rigels Xhemollari

Ai thotë se me këtë lëvizje, shpreson që prindërit të kenë vendosur një standard të ri.

“Ata nuk kishin reaguar më parë në këtë lloj forme dhe shpresoj që të reagojnë njësoj edhe për çdo lloj çështje që shqetëson fëmijët në shkollë”, shprehet Xhemollari.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë