Dosje

I zuri frymën të moshuarës greke me qese plastike… Burim Duraku, profili i një emigranti të paligjshëm dhe grabitësi që shpëtoi me procedurë

Duket se marrëdhëniet midis drejtësisë shqiptare dhe asaj greke nuk janë aq të mira. Pas dhjetëra lirimeve dhe refuzimeve për ekstradime – dy më të bujshmet ajo e Arben Frrokut nën akuzë për vrasjen e policit Dritan lamaj dhe ajo e Bledar Jambellit akuzuar për vrasjen e Dritan Cukut – edhe drejtësia shqiptare u dha të njëjtën monedhë homologëve. Lirimi i Burim Durakut, 33 vjec nga fshati Morinë i Kukësit, ngjan më tepër jo vetëm si një skandal i krijuar nga ngërcet dhe zvarritjet në gjyqësor derisa u dogjën afatet, por edhe si një reflektim i reciprocitetit mes drejtësive të të dyja vendeve, sa i takon dorëzimit të njerëzve me problem drejtësie.

Gazeta Si u interesua për profilin e të riut, të prangosur gjatë vitit 2019 dhe për të cilin u urdhërua nga gjykata e Kukësit lirimi i tij i menjëhershëm pasi i janë djegur afatet e mbajtjes në paraburgim. Nën akuzë për vjedhje në bashkëpunim më shumë se njëherë dhe vjedhje me pasojë vdekjen, ajo që tregohet nga policia për Gazetën “Si” është një jetë e mbushur me krime. I konsideruar si një i kërkuar për llogari të drejtësisë greke Duraku u kap dhjetorin e 2019, mbasi prej shtatë vitesh grekët ishin vendosur në kërkim të tij por pa asnjë rezultat. Ndonëse atij iu gjetën armë gjahu, dylbi dhe u hetua e dënua me 3 vite e 6 muaj burg për drogë, ai doli shumë shpejt nga burgu.

Policia thotë..

I riu shfaqet tejet problematik në shtetin grek ku dhe emigroi në mënyrë të paligjshme më tepër se dhjetë vjet më parë dhe ku jo vetëm masakroi një qytetare duke i marrë jetën, por edhe vodhi shtetas të tjerë. Gjurmët e tradhëtuan djalin nga kukësi, ndonëse shfaqej në rrugë agresiv dhe i dhunshëm ndaj viktimave.
Në një nga këto ditë vjedhjesh rezulton në sistemin ndërkombëtar të krimeve se Duraku në bashkëpunim me një të afër tjetër, sulmoi shtëpinë e shtetasit grek Pangeiotis Geugopoulis. Ata thyen dyert dhe rrëmbyen nga kjo banesë një kompjuter portativ, një aparat fotografik, sopatë, aparat radikomunikimi dhe rroba e sende me vlerë 2500 euro. Dhjetë ditë pas këtij krimi ata shfaqen sërisht në shtëpinë e një gruaje. Me fytyra të mbuluara dhe kapuc në kokë, i vendosën thikën në fyt të zonjës së shtëpisë dhe duke e shkelmuar me këmbë i kontrolluan gjithandej shtëpinë.

Burim Duraku së bashku me të afërmin vodhën prej andej 1 mijë euro dhe u larguan prej andej vetëm mbasi i prenë gruas linjën telefonike që gruaja të mos kishte mundësi të njoftonte policinë e cila në fakt kur mbërriti në vendngjarje e gjeti atë me gojë të mbyllur dhe të traumatizuar. Ajo tregoi për policinë se njëri ndër ta i grisi rrobat dhe e dhunuan mbasi i kërkuan me këmbëngulje se ku i kishte fshehur paratë. E njëjta shtetase u sulmua tre herë duke u vjedhur prej Durakut.

E fundit ishte fatale, pasi kur policia shkoi në shtëpinë e saj në lagjen Arostoli e gjeti të pajetë
Policia greke detajon në atë kohë në dosje: Gruaja ishte e lidhur në këmbë e duar me shiritë ndërsa grabitësit i kishin vendosur në kokë një qese plastike, ku si pasojë e asfiksisë ajo ka gjetur vdekjen. Në fakt sipas ekspertizës së grekëve, grabitësit ku bënte pjesë dhe Burim Duraku e kishin mbështjellë viktimën me tre kuverta dhe i vodhën përfundimisht asaj jo vetëm jetën por cdo gjë tjetër të cmuar. Sipas palës greke që kreu hetimet, në pyetje janë marrë në atë kohë mjaft shtetas grekë dhe të huaj që konfirmojnë se kishin mësuar që 33-vjecari kuksian kishte masakruar një grua të moshuar. Sipas kamerave të sigurisë të një Banke të Pireut, i riu shfaqet në skenën e krimit.

Kur policia mësyu në shtëpinë ku kuksianët jetonin me qera, gjetën një fotografi të të dyshuarit kryesor.
Anastasio Laskario konfirmoi identitetin duke thënë; “po, ky është Burim Duraku”. Dhe e njëjta gjë u përsërit edhe nga furxhiu Hristomo Mitrae dhe tregtari i vezëve Anastasio Tsima. Duke marrë gjurmë në shtëpinë me qera, policia greke ndërkohë u vu në kërkim të identitetit real të dy emigrantëve të paligjshëm që do t’i krahasonte me gjurmët që u gjetën në shtëpinë e të moshuarës greke. Analiza e ADN-së e krahasuar me një mbetje biologjike në një fuci uji, konfirmoi se grabitësit e dhunshëm ishin dy shqiptarë me mbiemrin Duraku, njëri prej të cilëve u kap në vendin e tij i implikuar me drogë dhe armë. Aktet për këtë shtetas u përcollën nga pala greke dhe sipas vendimit për lirimin e tij, pritet që kjo të aplikohet edhe për akuzën e vrasjes që pritet të sjellë daljen e menjëhershme të tij nga burgu.
Në realitet ai nuk qëndroi në burgjet shqiptare si një i dënuar me 3.6 vite burgim për krime të kryera në Shqipëri si armëmbajtja dhe kultivimi i bimëve narkotike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë