Nga Gazeta ‘Si’- Ndonëse në fillim u aludua që vrasjen e policit serb në orët e para të mëngjesit e kreu Artan Hajrizi, nisur nga pasaporta që u gjet në vendngjarje, mediat në Kosovë deklarojnë se në fakt në makinë ishte vëllai i tij ai që e vrau, i arratisuri në kërkim Faton Hajrizi.
Ky i fundit, i dënuar me 25 vite burg për vrasjen e një ushtari rus kur ishte vetëm 15 vjeç, është arratisur për herë të nëntë nga burgu i Smrekronicës në Kosovë të shtunën e 6 korrikut, pak pas mesnate.
Sipas të dhënave nga policia ai shfrytëzoi çarçafët e shtratit, të cilët i lidhi në radiatorin e dhomës ku ai ishte i vendosur. Në këtë mënyrë, Hajrizi arriti që të largohet nga dhoma përmes dritares në katin e dytë dhe kështu arriti në katin e parë ku kaloi rrethinën e jashtme të burgut dhe u arratis për herë të nëntë.
Hajrizi mori pasaportën e të vëllait që jeton në Gjermani. I vëllai e pohon
Në një reagim për mediat në Kosovë, Mustafë Hajrizi, babai i Artan dhe Faton Hajrizit deklaroi se Artani nuk ndodhet në Kosovë por është në Gjermani. Sipas tij, Fatoni ka marrë pasaportën e vëllait të tij, Artanit, e cila nga autoritet serbe po pretendohet se është gjetur në Loznicë të Serbisë, ku u vra polici serb.
“Fatoni i ka bërë ato punë, pasaportën e tij (Artanit) ka ikur në Gjermani dhe atje ia ka marrë”, deklaroi ai ndërsa shtoi se nuk ka më shumë informacione se si është marrë kjo pasaportë.
Mandej ai është shprehur se i biri, Artani, ndodhet në Gjermani duke punuar prej tetë vitesh.
Pas babait, edhe i vëllai i dyshuar deri tani, Artan Hajrizi deklaroi për mediat në Kosovë se ai gjendet në Gjermani dhe pretendoi se i janë vjedhur dokumentet identifikuese.
“Jam në policinë e Gjermanisë në Honiver. I kam lajmëru që m’i kanë vjedhur dokumentet”, deklaroi ai ndërsa shtoi se i vëllai, Fatoni ka ndenjur tek ai dhe kur është larguar, ka lënë në korridor portofolin dhe ka marrë dokumentet e të vëllait.
Talljet me Sveçlën në TikTok pas arratisjes: Nuk më arrestoni dot ju lepurushat e VV-së
Faton Hajrizi është një emër i njohur për policinë në Kosovë, kryesisht për arratisjet e tij të bujshme nga burgjet. Nëntë të tilla.
Menjëherë pas arratisjes së tij të fundit 13 ditë më parë, ministri i brendshëm i Kosovës Xhelal Sveçla në një reagim me vrik deklaroi se arrestimi i Hajrizit është “çështje orësh apo ditësh”.
“Tashmë policia ka bërë angazhimin e saj që të hetojë rastin në plotni, në qoftë arratisjen apo vendndodhjen e tij dhe arrestimin shumë të shpejtë… Policia po punon, unë jam i bindur dhe policia shumë shpejt do të vijë me rezultate. Unë nuk jam shumë i brengosur me këtë duke parë efikasitetin e policisë, është çështje orësh apo ditësh”, ka thënë Sveçla.
Por sakaq, pas deklaratës së tij, Hajrizaj nga arratia publikoi një video në rrjetin e tij social në TikTok ku po tallej me Sveçlën duke e konsideruar atë “Ministër të Punëve të Kota”.
Ai tha se sipas tij është aq i zoti sa mund të dalë në qendër të Prishtinës dhe Sveçla sërish nuk do të arrijë dot që ta arrestojë.
@faton.hajrizi.i.v ♬ original sound – faton hajrizi i vertet
“Sa për ty, vij midis Prishtinës dhe s’guxon me më dalë hiç, por i shti ata burra, Njësi Speciale, ua then kokën e në fund ti rri në kollare, se ti vetë edhe 100 herë me u klonu ti s’mund të më kapësh mua, se s’guxon të më afrohesh ti mua. Ky është mesazhi që ta jap unë ty, Xhelal Sveçla”, iu drejtua atij Hajrizi ndërsa shtoi se ata që mund ta arrestojnë sipas tij, ndodhen në Hagë.
“Ata të cilët më kishin kapur dhe me marrëveshje, janë në Hagë dhe ua kisha dëgjuar hatrin, jo ju lepurushët e Vetëvendosjes. Ju njohim mirë kush jeni”, tha Hajrizi.
Dënimet dhe akuzat për krime
Media serbe Novost shkruan se Faton Hajrizi u dënua për vrasjen e një ushtari rus, pjesëtar i KFOR-it, dy dekada më parë në afërsi të Drenicës.
Për arratisjen e tij të parë nga burgu ka deklaruar se ka përdorur dritaren e tualetit në burgun e Mitrovicës. Hajrizi më pas u arrestua nga ushtarët e KFOR-it.
Siç ka treguar në TikTok sëfundmi, ai është arratisur nga burgu i Prishtinës për herë të dytë, e po ashtu edhe për herë të tretë në vitin 2012 nga baza ushtarake, duke kaluar gardhin e burgut të Prizrenit.
Pas një operacioni policor, ai u arrestua në korrik 2007, së bashku me gjashtë të burgosur të tjerë të dënuar për krime të rënda. Pasi kaluan rrethojën e burgut, të shtatë të burgosurit u takuan nga persona të tjerë, të cilët nisën të qëllonin në drejtim të gardianëve të burgut.
Disa muaj pas arratisjes, në shtator të vitit 2007, ka ndodhur një grabitje e armatosur në Gllogoc, ku katër persona të armatosur dhe të maskuar kanë grabitur një argjendari dhe kanë qëlluar dy policë dhe pronarin e dyqanit duke ikur. Vlera e arit të vjedhur ka qenë rreth 63 mijë euro.
Në vazhdim të kërkimit për grabitësit, në fshatin Bruznik-Vuçitërn, patrulla policore ka tentuar të ndalojë makinën e dyshimtë. Të dyshuarit nga ajo makinë kanë shtënë në drejtim të policisë dhe kanë plagosur me armë zjarri dy policë dhe kanë arritur të ikin në këmbë.
Të njëjtët, Faton Hajrizi dhe Burim Basha dyshohej se grabitjen dhe plagosjen e kishin kryer në Gllogoc. Gjatë bastisjes në shtëpinë e tyre janë gjetur gjithashtu disa armë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.