Dosje

I vëllai iu vra në atentat, kush është Ibrahim Lici

Masakra që tronditi Shkodrën të mërkurën ka nxjerrë në skenë sërish një emër të njohur të botës së krimit, atë të Ibrahim Licit. Hamza Lici mbeti i vrarë në atentatin e djeshëm në rrethrrotullimin e ish- “5 Heronjve”, në zonën e Dobraçit.

Hamza Lici është vëllai i Ibrahim Licit, i cili u arrestua në 15 shkurt të këtij viti në Turqi, por gati 1 muaj më vonë u lirua nga qelia.

Ibrahim Lici kërkohet nga drejtësia pas dyshimeve se është i përfshirë në vrasjen e Endri Mustafës në Shkodër, ngjarje për të cilën ka mohuar çdo akuzë.

Përplasja mes familjes së tij dhe familje Bajri ekspozohet në dosjen dosjen "Metamorfoza" ku sipas komunikimeve të Sky ECC, Behar Bajri kishte thurur plan për ekzekutimin e Ibrahim Licit në varrimin e Indrit Rrajës.

Në një nga komunikimet e aplikacionit Sky, që ndodhen tashmë në duart e SPAK, Bajri flet dhe me biznesmenin Pëllumb Gjoka, ndërsa i tregon këtij të fundit që do ta vrasë Ibrahim Licin dhe Dorian Dulin dhe po kërkon njerëz për ta kryer vrasjen

Ibrahim Lici është djali i ish-këshilltarit të Bashkisë së Shkodrës, Mustafa Lici.

Mustafa Lici ka mohuar përfshirjen e të birit në vrasje, duke thënë para SPAK se Ibrahim Lici ka qenë në Tiranë ditën e vrasjes së Mustafës.

Sipas policisë, Lici është dhe autori kryesor i atentatit ndaj vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilali, ngjarje kjo e ndodhur në datën 30 mars të 2019. Ata u ekzekutuan në portën e shtëpisë me breshëri kallashnikovi dhe ngjarja u hetua si përplasje mes bandave rivale në Shkodër.

Astrit Bilali, i cili mbetur i vdekur së bashku me të vëllanë e tij me 30 mars 2019, është babai i Astmer Bilali, ish kampionit boksit i arrestuar si pjesë e grupit “Bajri” në Shkodër.

Endri Mustafa ka qenë shok me Astmer Bilalin, ndërsa emrat e tyre dalin bashkë në disa ngjarje kriminale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë