Dosje

I lënë pusullë ‘I vdekur’ te xhami i makinës! Deputetja ekuadoriane akuzon mafien shqiptare për mesazhet kërcënuese

Ligjvënësja nga Ekuadori, tha se ka marrë mesazhe kërcënuese për të ndaluar hetimin e çështjes “Encuentro” dhe raportin konfidencial të Policisë, që shesh të përfshirë mafien shqiptare dhe rrjetin e ngushtë dhe familjar të presidentit Lasso

Gazeta Si - Një mesazh me logon e flamurit shqiptar dhe i shkruar me germa kapitale në gjuhën shqipe “I Vdekur”, i lënë në xhamin e makinës së një zyrtari në Kuito, ka vënë në lëvizje autoritetet gjyqësore ekuadoriane.

Deputetja Viviana Veloz (UNES), kryetare e komisionit hetimor të rastit për çështjen e quajtur “Kumbari i Madh” (për dyshime për korrupsion ndaj presidentit Guillermo Lasso), denoncoi se ajo dhe këshilltari i saj morën kërcënime me vdekje gjatë fundjavës, duke akuzuar mafien shqiptare.

LEXO EDHE:
Raporti me emra e përgjime sjell skandal politik në Ekuador: Kush është bosi i mafies shqiptare që ka lidhje me rrethin familjar të presidentit Guillermo Lasso

Sipas asambleistes, qëllimi i kanosjes do të ishte parandalimi i ecurisë së hetimeve për korrupsion të dyshuar në qeveri, në kuadër të çështjes “Encuentro”, si dhe parandalimi i raportimit të policisë për lidhjet e dyshuara mes trafikut të drogës dhe mafies shqiptare nën hetim.

Këtë situatë Veloz e bëri të ditur mëngjesin e të hënës, gjatë një seance virtuale të komisionit të rastit, të cilit iu drejtuan agjenti fiskal Rubén Balda, polici José Luis Erazo dhe gjenerali Giovanni Ponce, koordinator administrativo-financiar i Policisë Kombëtare.

Deputetja tregoi një fotografi në celularin e saj dhe tha se të dielën, “shqiptarët” kanë lënë një shënim në automjetin e këshilltarit të saj, Christian González, me logon e mafies shqiptare dhe një fjalë në atë gjuhë, që përkthyer në spanjisht do të thotë "I VDEKUR".

Shënimi u vendos kur automjeti ishte parkuar jashtë Universitetit Qendror të Ekuadorit, në qendrën veriore të Quitos (kryeqyteti i vendit).

Veloz raportoi se ajo mori edhe mesazhe kërcënuese në llogarinë e saj në Instagram.

“Kërcënime me vdekje dhe se ata do të bëjnë një tentativë vrasjeje për jetën e prindërve të mi dhe të familjes sime, nëse nuk ndaloj hetimin e çështjes ‘Encuentro’ dhe hetimin e raportit të madh. Madje, brenda atij mesazhi, më kanë dërguar udhëzime që çfarë duhet të bëj, duke treguar datën dhe orën”, - ka treguar ajo.

Ligjvënësja e konsideroi qeverinë përgjegjëse për atë që mund t'i ndodhte asaj, familjes së saj, ekipit të saj të punës dhe njerëzve të afërt me të. Ajo raportoi se sot do të zyrtarizojë denoncimin në Prokurori.

“Nëse pushteti politik nuk është bashkuar me mafien, atëherë pse po fillojnë të na kërcënojnë me vdekje?”, - pyeti ajo.

Përveç kësaj, Veloz tha se të premten në mëngjes, një ligjvënës nga komisioni – emrin e të cilit nuk e bëri të ditur – e paralajmëroi atë që të mos ngatërrohet me mafien, se do t’i dërgonin një mesazh.

“Sigurisht që (ligjvënësi) ka qenë lajmëtari i mafies, sepse menjëherë të dielën, në makinën e këshilltarit tim, kishte disa karta me këto logo”, tha asambleistja e UNES-it dhe tregoi se do të dorëzojë në Prokurori emrin e parlamentarit që bëri komentin.

Veloz theksoi se e bëri publike çështjen e saj, sepse ndoshta mund të kërcënohej edhe jeta e anëtarëve të tjerë të komisionit hetimor.

Dhe, përveç kësaj, ajo konfirmoi se hetimi i kryer nga tryeza legjislative do të vazhdojë punën e tij.

Para zbulimit, anëtarët e asamblesë Mireya Pazmiño dhe Marcela Holguín (UNES), shprehën solidaritetin e tyre me Veloz dhe ekipin e saj të punës.

"Ata nuk do të na frikësojnë, ne do të vazhdojmë me këtë hetim", - tha Pazmiño. Ndërsa Holguín i përshkroi mesazhet kërcënuese, të bërë nga njerëz "frikacakë".

Viviana Veloz, anëtare e asamblesë së UNES-it, kryeson komisionin e çështjes që heton të ashtuquajturin “El Gran Padrino”, "Kumbari i Madh", i cili pritet të nisë ndaj presidentit të Ekuadorit, Guillermo Lasso.

Një skandal politik, që ka përfshirë Ekuadorin, mbi një rrjet të dyshuar korrupsioni në kompanitë publike, ku nën akuzë është edhe biznesmeni shqiptar, Dritan Gjika.

Ky i fundit, dyshohet se është një nga partnerët kryesorë të Rubén Cherres, qendra e një sërë lidhjesh që arrijnë në rrethin e presidentit Guillermo Lasso përmes kunatit të tij, duke ndikuar në emërime në poste publike dhe në fitimin e tenderëve të punëve publike.

Gjika ndodhet në Ekuador për gati një dekadë dhe nga Guayaquil ka drejtuar biznese të ndryshme, mes të cilëve eksportimin e bananeve që lidhet me një importues shqiptar të akuzuar për trafik droge. Në Ekuador, dokumentet e reja e shohin shqiptarin si drejtuesin e dyshuar të një organizate kriminale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë