Rend dhe Ligj

I shpallur në kërkim si bashkëpunëtor i Durim Bamit, arrestohet për herë të dytë ish-polici i RENEA-s

Gazeta Si – Ish-punonjësi i forcave speciale RENEA, Altin Morina, është arrestuar pas një viti arrati mbrëmjen e 3 prillit në Tiranë, pasi ishte shpallur në kërkimme urdhër të SPAK në 17 maj 2024 në kuadër të operacionit “Revanshi”.

Ai akuzohet se ka bashkëpunuar me të shumëkërkuarin e drejtësisë, Durim Bami për të organizuar kultivimin e bimëve narkotike në zonën e Niklës dhe Tapizës në vitet 2019-2020.

Policia bën me dije se në pranga ka rënë edhe 25-vjeçari E.H., drejtuesi i automjetit që shoqëronte Altin Morinën, ndërsa policit iu gjet me vete edhe një armë zjarri dhe dokumente false.

Ish-efekti i RENEA-s ka qenë arrestuar edhe më herët, në mars të vitit 2023, pasi në makinën me të cilën po lëvizte iu gjetën 113 mijë euro.

43-vjeçari, me detyrë Shef i Repartit të Stërvitjes tek Forcat RENEA, u prangos në zonën e Kodrës së Diellit, teksa lëvizte me këtë automjet luksoz. Shuma e konsiderueshme u gjet poshtë sediljes së parë e mbështjellë me një qese plasmasi.

Por një muaj më vonë, ai u lirua nga qelia pasi deklaroi se shumën e parave e kishte marrë hua te një biznesmen për një problem personal dhe se ato nuk ishin të krijuara nga aktiviteti kriminal.

“Nuk ka prova, këto para i kam marrë nga një biznesmen 30 minuta para arrestimit. Nuk vijnë nga produkt kriminal, jam gati të bashkëpunoj me organin e akuzës për t’i dhënë prova që kanë të bëjnë me arsye personale dhe familjare. Nuk ka patur person tjetër në shoqërinë time në momentin e arrestimit. Po shkoja në shtëpi, te Komuna e Parisit, dhe isha drejtuar në “Ish-Bllok” ku banoj”, tregoi në atë kohë ish-efektivi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë