Art dhe Kulture

I sëmurë me Covid 19, Guljem Radoja në gjendje të rëndë shëndetësore

Aktori i njohur i skenës shqiptare, Guljem Radoja ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në reanimacionin e Spitalit të Durrësit.

Ai është infektuar prej ditësh nga Covid 19 dhe ndodhet në reanimacionin e spitalit të qytetit në gjendje të rënduar shëndetësore.

Për rastin, ka reaguar edhe skenografi i njohur, Bashkim Zahaj, i cili bën apel që shteti të ndërhyjë për një mjekim më të specializuar jashtë vendit.

“Mesoj se Guljemi, aktori jonë i dashur, qenka rëndë në spitalin e Durrësit nga Covid. Shteti shqiptar, i detyrohet këtij aktori për një shërbim më të specializuar jashtë shtetit. Uroj të rezistosh e të fitosh Guljem”, – shkruan ai.

Guljelm Radoja, në kinematografi ka luajtur më shumë se 30 role. Roli i tij i pare, ishte ai i inxhinierit të pyjeve në filmin “Gjurma”, në viti 1970.

Të tjera role, janë ai i Tenente Gruabardhit në filmin “Në fillim të verës”, 1975, roli i Stefan Bardhit në filmin “Mësonjëtorja”, 1979, roli i Petro Nini Luarasit në filmin “Kush vdes në këmbë”, 1984, roli i priftit në filmin “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, 1989, apo roli i prokurorit në filmin “Kolonel Bunker” në vitin 1998, etj.

Për meritat e tij artistike Guljelm Radoja është nderuar me titullin “Artist i Merituar”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë