Gazeta Si - Një personazh i njohur në rrjetin TikTok, dyshohet se ka ndikuar në vetëvrasjen e një 27-vjeçareje, të cilës i kishte publikuar një foto intime në internet.
Një ditë më parë, u raportua se e reja ishte hedhur nga tarraca e katit të katërt të një pallati në rrugën "Teuta” në Kamëz, ku jetonte me qira.
Por tashmë ngjarja merr një tjetër kthesë. Sipas policisë, ajo i ka dhënë fund jetës për shkak të fotos që i është publikuar në rrjetet sociale.
Në pranga për këtë ngjarje ka rënë një personazh i njohur i TikTok-ut, Altin Çoku, 39 vjeç, i cili dyshohet se ia ka publikuar foton intime vajzës në rrjetet sociale. Kjo foto më pas ka qarkulluar edhe në rrjete të tjera, si në grupe Telegrami.
"Ky shtetas dyshohet se ka publikuar një foto intime të 27-vjeçares, e cila dyshohet se për këtë shkak është vetëhedhur nga tarraca e katit të 4-t dhe si pasojë e dëmtimeve të marra, ka humbur jetën", njofton policia.
Lidhur me këtë ngjarje, hetuesit kanë zbardhur rrethanat dhe kanë ndaluar 39-vjeçarin me Altin Çoku për veprën penale shkaktim i vetëvrasjes pasi dyshohet se është personi që i publikoi foton intime në internet.
Sipas burimeve, mësohet se 27-vjeçarja ishte në proces divorci me bashkëshortin e saj nga Kosova dhe gjatë kësaj kohe ishte njohur me Altin Çokun.
Gjatë kohës së njohjes mes tyre, ai i ka bërë foto 27-vjeçares në momentet e tyre intime dhe më pas kjo foto është publikuar në rrjetin social TikTok.
Gjithnjë sipas burimeve, gjatë kohës që qëndronte në Kamëz ajo pati një takim intim me Altin Çokun, i cili kur kishin qenë në një hotel, i kishte bërë një foto dhe e kishte publikuar në Tik-Tok. Mësohet se para ngjarjes se të shtunës, vajza kishte tentuar dhe 2 herë të tjera vetëvrasjen.
E ndjera i kishte kërkuar disa herë që të fshinte foton nga rrjeti social, por 39-vjeçari herë pretendonte se nuk e kishte publikuar vetë, ndërsa herë të tjera i kërkonte të vijonin lidhjen.
Dy ditë më parë, Altin Çoku fliste për shpërndarjen e fotos me një bashkëbisedues në TikTok, ku shpjegonte se si një person me të cilin ishte në lokal, i kishte marrë telefonin dhe foton në fjalë, e më pas e kishte shpërndarë në rrjete sociale.
Dy ditë më parë në rrjetet sociale 39-vjeçari teksa bisedon me një tjetër personazh të njohur të kësaj platforme tregon si ishte njohur me të renë, e cila sipas tij ishte edhe i ndarë nga burri.
Sipas versionit të Altin Çokut ka qenë vetë vajza e cila ka bërë foton me të, por më pas kjo foto është marrë nga shoku i 39-vjeçarit dhe më pas e ka shpërndarë duke hapur edhe profile false.
“Unë me një shoqen time në hotel me të, bëri foto ajo me mua lakuriq kokën tek gjoksi im. Unë dal tu pi kafe me një shok timin, por unë telefonin e mbaj pa kod. Unë shkoj me banjo të lokalit, ajo goca më ka cuar foto, duke më thënë shiko ca foto kemi bërë në hotel. Ky ka marrë telefonin dhe ka marrë foton dhe ja ka shpërndarë miletit. Cuca e huaj e ndarë me burrë, edhe unë kam bërë debat me gruan time. Gjynah për gocën e huaj, po ajo vetit ja ka bo. Se vetë i ka hëngër bytha me bo foto. Nuk është tu më rrujt k**i për të”, tregon Altin Çoku, i cili thotë se nëse do ta akuzojnë për tradhti “do ti thotë policisë merrni armën e krimit”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.