Fjala e Ridvan Bodes para Komisionit të Ekonomisë zgjati shumë pak. Ministri më jetëgjatë i Financave shqiptare pas viteve ’90 prezantoi veten shkurtimisht përballë deptutetëve socialiste, në një kohë që ish-kolegët e tij demokratë mungonin në këtë seancë të Komisionit.
Bode është kandidat për anëtar të Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë, i propozuar nga Kryeministri Edi Rama. Në fjalën e tij ai tha se kandidon për në këtë pozicion “i zhveshur politikisht”. “Pasi ky institucion është apolitik”, tha Bode.
Vetë Kryeministri Edi Rama e mbrojti propozimin e tij. “Duke propozuar Ridvan Boden për anëtar të Këshillit Mbikëqyrës të BSH, zgjedhim t’i shërbejmë bankës dhe jo partisë”, deklaron ai përmes rrjeteve sociale.
Ridvan Bode ka mbajtur pozicionin e ministrit të Financave nga 2005 deri në 2013 dhe ishte një prej njerëzve më të afër të ish-Kryeministrit Sali Berisha. Por, me zgjedhjen e Lulzim Bashës në krye të PD-së ai nuk u përfshi në listën e kandidatëve për deputetë dhe u shkëput gradualisht së bashku me disa figura të tjera të opozitës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




