Gazeta Si – Pas dy vitesh, Emiljano Shullazi ka lënë regjimin e posaçëm “41-biss”, teksa ka shlyer kohën e qëndrimit në regjimin e ashpër.
Pasi ka përfunduar afatin e qëndrimit, Shullazi tashmë do të vuajë dënimin e mbetur në paraburgimin e “313” në Tiranë.
Përveç tij, u ka mbaruar afati i qëndrimit në këtë regjim edhe dy të dënuarve të tjerë, Arbjon Aliko dhe Genci Balla.
Ndërkohë, vijojnë në “41-biss”, Redjan Rrahja, Arbër Çekaj, Aleksandër Llanaj, Viktor Ymeri dhe Eldi e Klemend Çala.
Rreth një muaj më parë, u bë e ditur se vendimi që mbylli në regjimin e izolimit “41-biss” Shullazin, do të rigjykohej edhe njëherë në Gjykatën e Posaçme të Apelit.
Gjykata e Lartë pranoi pjesërisht rekursin e bërë nga Shullazi, i cili pretendoi se vendimi që e la për të dytën herë të izoluar ishte në shkelje të ligjit dhe të drejtave të tij, duke i kërkuar Apelit ta marrë edhe njëherë në shqyrtim, por duke caktuar një trup tjetër gjykuese.
Beteja nëpër gjykata
Ndërkohë Gjykata Kushtetuese ka gjetur të cënueshëm vendimin e parë që mbylli Shullazin në izolimin e ashpër, duke argumentuar se të dhënat sekrete të paraqitura nga autoritetet, si prova kundër tij, duhet të ishin shqyrtuar nga gjykata, e cila duke i konsideruar akte sekrete, nuk i ka marrë në shqyrtim.
Në një regjim të tillë, është përcaktuar të vuajnë vetëm ata persona që kanë një vendim të formës së prerë, ose ka indicie serioze që ata kanë kryer vepra të tjera penale gjatë kohës që janë në qeli dhe paraqesin rrezikshmëri të lartë.
Dënimi i grupit
Pas 83 seancash gjyqësore të zhvilluara në dy vite, Gjykata e Posaçme e Apelit dënoi me vendim të formës së prerë me 55 vite burg Emiliano Shullazin dhe grupin e tij, nën akuzën e gjobëvënies dhe krijim të grupit të strukturuar kriminal.
Vetë Shullazi është dënuar me 14 vite burg, me 12 vite burg Gilmando Danin, me 10 vite Endrit Qyqja, Indrit Zela me 10 vite dhe me 9 vite burg Blerim Shullazi.
Po ashtu, Shullazi vijon të jetë në hetim nga Prokuroria e Posaçme për akuzën e “Vrasjes në rrethana cilësuese” të Vajdin Lamajt dhe Klodian Saliut, ngjarje e cila ka ndodhur në shkurt të vitit 2005 në kryeqytet.
“41-biss”, i huazuar nga Italia
Regjimi “41-bis” ka nisur të aplikohet në burgjet e vendit tonë në janar të vitit 2019, i marrë nga përvoja italiane. Thelbi i këtij regjimi është nevoja për të penguar komunikimin e të burgosurve me njerëz jashtë.
Duke bërë këtë, pengohen bosët e mafies që të kenë komunikime të mundshme me organizatat kriminale.
Kështu, atyre u bllokohet mundësia që të japin urdhra për vrasje dhe krime ndërkohë që janë në burg.
Limitimi i numrit të takimeve me familjarët, është një ndër rregullat strikte, ku saktësohet maksimumi 1 takim në muaj.
Po ashtu ndalohet kontakti fizik me familjarët, ndërsa çdo bisedë mes tyre është e regjistruar.
Të burgosurit kanë mundësinë e një telefonate 10 minutëshe në muaj, edhe ajo e regjistruar.
Çdo korrespondencë me jashtë do të jetë e kontrolluar. Të burgosurit i ndalohet çdo objekt personal në qeli, si stilolaps, blloqe apo lekë.
Të burgosurit janë aq të vëzhguar sa është e pamundur të komunikojnë mes të dënuarve, të gatuajnë, të shkëmbejnë objekte apo biseda.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.