Jete & Stil

I përdorin përditë, por amerikanët nuk duan që numrat arabë t’u mësohen fëmijëve

Një sondazh ku janë pyetur më shumë se 3 mijë e 600 persona ka nxjerrë në pah paragjykimet e amerikanëve ndaj arabëve. Pyetja ishte e thjeshtë: A duhet t’u mësohen fëmijëve amerikanë numrat arabë në shkollë?

Më shumë se gjysma e të anketuarve u përgjigjën prerazi jo, duke mos patur dijeni se simbolet standarde që përdoren thuajse në të gjithë botën, edhe në vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të përcaktuar numrat janë arabë.

56 përqind e të pyeturve thanë se ishin kundër mësimit të numrave arabë nga fëmijët e tyre në shkollat amerikane, duke i dhënë të drejtë sondazhit që si objektiv kishte të nxirrte në pah paragjykimin amerikan ndaj arabëve.

Sondazhi është kryer nga “Civic Science”, një kompani amerikane që merret me studimin e tregjeve. Në total janë pyetur 3624 persona dhe të anketuarve nuk u është shpjeguar se çfarë ishte sistemi arab i numrave.

29 për qind ishin pro mësimit të këtyre numrave nga fëmijët amerikanë në shkolla, ndërsa 15 për qind të tjerë preferuan që të mos i japin një përgjigje kësaj pyetjeje.

https://twitter.com/jdcivicscience/status/1127285936977522688?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed&ref_url=https%3A%2F%2Fd-33824776772739368498.ampproject.net%2F1908231648370%2Fframe.html

Drejtori ekzekutiv i “Civic Science”, John Dick tha se ndjente keqardhje për këtë rezultat të sondazhit, që njëkohësisht, sipas tij, është edhe dëshmi e fanatizmit të shoqërisë amerikane. “Pyetja që në bëmë nuk lidhet vetëm me dijen, apo injorancën, por edhe me paragjykimin”, thotë ai.

Simbolet që përcaktojnë numrat nga 0 deri tek 9 njihen në të gjithë botën si sistemi numerik arab. Mendohet se të parët që kanë përdorur këtë sistem janë matematikanët indianë, ndërkohë që arabët e kanë huazuar dhe zhvilluar edhe më tej. Janë pikërisht këta të fundit që e sollën në Europë këtë sistem numerik, që për nga prakticiteti dhe thjeshtësia zëvendësoi lehtësisht sistemin numerik romak.

“Civic Science” është e njohur për sondazhet pikante që organizon mes amerikanëve. Në vitin 2015, kompania pyeti mijëra persona nëse SHBA duhej të bombardonte qytetin Agrabah. Pjesa dërrmuese e të pyeturve thanë se po. Problemi është që qyteti në fjalë nuk ekziston në të vërtetë. Ai është prodhim imagjinar i Disney-t në filmin “Aladini”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë