Dosje

I penduari Artan Tafani rrëfen si u bë pjesë e botës së krimit dhe njohjen me Laert Haxhiun: Dridhesha dhe u zverdha kur e pashë!

Gazeta Si – Për herë të parë në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka dëshmuar në cilësinë e bashkëpunëtorit të drejtësisë Artan Tafani, një nga figurat kyçe që pritet të zbardhë veprimtarinë e grupit të strukturuar kriminal të drejtuar nga Laert Haxhiu.

Në dëshminë e tij para togave të zeza, Tafani rrëfeu 17 episode kriminale dhe një jetë të shënuar nga droga, dhuna, burgjet dhe vrasjet.

“Kam qenë emigrant në Greqi që 15 vjeç, nga fundi i viteve ’90. Në 1997 më vranë babain në fshatin Karbunarë të Lushnjës. U largova me nënën dhe motrën për të mbijetuar. Atje punova në ndërtim, me bojëra, u përpoqa të mbaja veten. Më pas, rashë në përdorim droge. U martova, pata një fëmijë, por gjithçka mori tatëpjetën.”

Pas kthimit në Shqipëri në 2006, Tafani tha se tentoi të rindërtonte jetën me punë të ndershme dhe tregti me xhaxhain, por pas disa vitesh u rikthye në drogë dhe u përfshi në një vjedhje në një pikë ‘Western Union’-i – vendin nga merrte ndihmat që i dërgonte e ëma nga jashtë. “E vodha i vetëm, paratë i shpenzova. Më pas më arrestuan dhe në 2015 u dënova me 6 vite burg”.

Ishte pikërisht gjatë qëndrimit në burgun e Lushnjës ku Tafani nisi lidhjet me botën e krimit. Ai përmendi njohjet me emra të njohur të botës së nëndheshme: Lulzim Arapin (i njohur ndryshe si Lulzim Spahija), Laert Haxhiun, dhe të tjerë.

Kontakti i parë

Sipas tij kontakti i parë erdhi pas masakrës së Lushnjes, së ndodhur në vitin 2017. Në këtë ngjarje kriminale u vra Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha si dhe u plagosën Marjus Xhepexhiu dhe Bujar Turku, ndërsa shënjestra e ekzekutorëve ishte Xhulio Shkurti, nipi i ish-kreut të bandës së Lushnjës, Aldo Bare.

“Në paraburgim jam njohur me disa çuna nga Lushnja. Erdhi një Lulzim Spahiu pas ngjarjes ku u plagos Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares dhe arma u gjet tek stani i babait të Laert Haxhiut, zotit Qamil Haxhiu. Pas Lulzimit erdhi dhe Qamili aty. Me Lulzimin kemi ndenjur aty, pasi dola nga burgu e kam taku te një karburant i Saimir Taullahut. Pasi dola nga burgu më çoi llaf Klajd Taullahu do të takoj Lulzimi, donte të bënim ndonjë punë me mall. Pastaj u takuam tek Palma Nova me Laert Haxhiun. Ishte hera e parë që e takoja. Anterio Kaloshin e kisha në burg në Rrogozhinë. Unë vetë kam dhe emrin tjetër, Marius”, ka zbuluar ai.

Pas daljes me leje nga burgu, Tafani thotë se Lulzim Spahija i çoi fjalë për ta takuar. Kishte nevojë për punë – ishte baba i tre fëmijëve dhe në krizë ekonomike. Pranoi ofertën dhe u takua për herë të parë me Laert Haxhiun te “Palma Nova”.

“S’e dija me kë do takohem. Më thanë për ‘mall’, pranova. Pastaj filloi gjithçka. Ata çunat më kishin folur për mua. Kam përdorur emrin Marius, ndërsa emrin Artan e mora pas 2006, kur më duhej për të hyrë sërish në Greqi, sepse më kishin bërë ekspuls”.

Ai tha se në momentin që kishte qenë në situatë të keqe për para dhe kishte kërkuar lekë borxh tek Saimir Taullau dhe më pas nga ky i fundit kishte nisur lidhja me të njohur të Laert Haxhiut të cilin e kishte takuar në Elbasan ku e kishte marrë me një makinë tip “Benz” pa e ditur se kush ishte.

Frika para Laert Haxhiut

Tafani tregoi në GJKKO se në momentin kur e kishte marrë vesh se me kë ishte në tavolinë, ishte trembur dhe ishte futur në dyshime mbi praninë e tij aty.

Fillimisht ai tha se një ditë pasi kishin qëndruar në Dajt, Lulzim Arapi i kishte dhënë 500 euro “për ta respektuar” dhe më pas Klajdi Taullau i kishte dhënë edhe 500 të tjera para se të niste aktivitetin kriminal.

“Laerti ishte në timon, Lulzim në vend të parë, Romaçka në sediljen e pasme. Vetëm Lulzimin e Klajdin njihja. Laertin e kisha parë në televizor, kishte kapele në kokë. Ikëm për në Dajt. Mendova se Laerti është ndonjë i njohur i Lulzimit që merret me mall. Në Dajt ulemi në një restorant, më thotë Laerti dalim pak jashtë. ‘Më njeh më thotë?’! I them mos të kam parë burg, jo më thotë. Ngre kapelën ngjante me vëllain. Ore si smë njeh mua. E kapa pastaj filmin. Jam filani ore më tha. Qëndruam në Dajt atë natë, 5 veta. Kemi folur aty, Klajdi u kthye për Lushnjë. Lulzimi e shoqëron deri te makina. Unë u tremba mendova pse më morën këta tani, kur pash Laertin, u tremba aq shumë, veç dridhesha, u preva, isha i zverdhur, për ça ndodhesha këtu! Nuk ma përcaktoi qartë, pak a shumë me mall më tha do merresha, për vrasje as s’e kisha kaluar nëpër mend”, – tregon Artan Tafani.

Sakaq Artan Tafani, njohur ndryshe edhe si Marius Tafani për të cilin u ra në gjurmë pasi grabiti 40 mijë euro në një “Exhange” në Tiranë, vazhdon nën programin e mbrojtjes së drejtësisë duke qenë se ka rrëfyer një seri krimesh të kryera midis viteve 2019-2021 nga grupi kriminal i Laert Haxhisë.

Ndërkohë Laert Haxhiu, u dënua me burg përjetë për vrasjen e dyfishtë të Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës ngjarje që ndodhi në Lushnjë në vitin 2017.

Vrasjet e grupit

Në nëntor të vitit 2024 SPAK mbylli hetimet për nëntë persona të dyshuar si pjesë e grupit të Laert Haxhiut, të akuzuar për 15 ngjarje kriminale, mes të cilave 4 vrasje, të zbardhura pas deklarimeve të të penduarit të drejtësisë, Artan Tafani. Referuar dëshmisë së të penduarit dhe provave të tjera të mbledhura nga organi i akuzës u zbardh vrasja e Alban Semakut, i njohur edhe si Etlon Mermali, ngjarje e ndodhur më 17 tetor 2021, pranë lumit Shkumbin në Peqin.

Po ashtu, është zbardhur ekzekutimi i Albi Bashaliut më 27 dhjetor 2021 brenda një lokali në fshatin Gjoçaj të Peqinit. Rrëfimi i Tafanit ka hedhur dritë edhe mbi vrasjen e Fridmand Xhaferraj në Korçë, ndodhur më 13 qershor 2021.

Hetuesit po ashtu siguruan prova të mjaftueshme edhe për dokumentimin e autorëve të dy ekzekutimeve të shtetasve shqiptarë në Greqi, Lulzim Qorri dhe Dikens Halili. Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan 12 persona dhe 4 të tjerë u shpallën në kërkim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë