Analize

I paguajmë testet anti Covid disa herë më shumë se Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi

Pasi tre nga kolegët në restorantin ku punonte filluan të shfaqnin simptoma të lehta të Covid-19, kryesisht temperaturë dhe kollë, Julian Deda, i cili punon si kamerier në një nga restorantet e ish-zonës së bllokut në Tiranë, vendosi të izolohej në shtëpinë e tij së bashku me prindërit dhe vëllain më të vogël.

20-vjeçari i tregon Gazetës "Si" se ishte mëse i sigurt se ishte infektuar pasi një prej kolegëve me simptoma kishte punuar në të njëjtin turn me të për më shumë se një javë. Por, as Juliani dhe as familjarët e tij nuk po shfaqnin simptoma.

“Mami u lidh me doktorin e ambulancës së lagjes për ta pyetur se mund ta bënim tamponin, sepse nuk e linin të kthehej në punë pa u siguruar se nuk e ishte infektuar”, thotë Juliani. "Në shtet e dinim se nuk kishim shanse sepse as çunave të punës nuk erdhi t’ia merrte njeri, kështu që shkuam në privat", tregon ai.

Ashtu si shumë qytetarë, as familja e tij nuk e dinte se testimi për Covid-19 në të gjitha spitalet private që e ofrojnë si shërbim në Shqipëri kushton 12 mijë lek, një kosto që për ta ishte e papërballueshme. “Nuk ia vlente ta bëja”, shprehet Juliani. “Përgjigjja dilte për 24 orë por më thanë që po të dyshohej se isha pozitiv do ta çonin në shtet për konfirmimin dhe duhet të prisja dhe pesë ditë të tjera. Duke qenë se lokali u mbyll, qëndrova në shtëpi për 7 ditë dhe jam me fat se nuk pata asgjë. Nuk e di a e kam kaluar, por deri tani, në familjen time jemi të gjithë pa simptoma”, i rrëfen ai Gazetës.

Një nga kolegët e Julianit, i cili ndodhej në Maqedoninë e Veriut ditën që e njoftuan se stafi ishte infektuar dhe ishte izoluar në shtëpi, e bëri tamponin në një klinikë private në Shkup, me një kosto prej vetëm 40 eurosh. Ai i mori rezultatet pas 48 orësh dhe rezultoi negativ.

Por ndryshe nga ai, asnjë prej punonjësve të tjerë në Tiranë nuk u testuan, edhe pse disa kishin simptoma, pasi nuk e përballonin dot koston e tamponit.

Shqipëria ka çmimin më të lartë të testimeve jo vetëm në krahasim me Maqedoninë e Veriut, por me të gjitha vendet e rajonit.

Për të kuptuar sa e rëndë është kostoja e Covi-19 mbi shpatullat e shqiptarëve, mjafton të kemi parasysh se nga fillimi i muajit nëntor, qytetarët e vendit tonë po i japin spitaleve private rreth 20 milionë lekë në ditë vetëm për tamponë.

Në datën 10 nëntor, në vendin tonë janë realizuar 2723 testime, me vetëm 984 që u realizuan nga ISHP. Duke llogaritur se koston për tampon, nga gjepat e pacientëve 20 milionë lek dalë vetëm për tu testuar, pa llogaritur kostot e trajtimit me antibiotikë.

Të premten për shembull, në vendin tonë u realizuan 2508 testime, prej të cilave vetëm 457 u realizuan nga ISHP. Kjo do të thotë se qytetarët kanë paguar rreth 24 milionë për realizimin e tamponëve në laboratorët privatë.

Çmimi i testit Covid-19 PCR në dy laboratorët private në Shqipëri është rreth 97 euro, edhe pse rroga minimale në vendin tonë është 26 mijë lek dhe ajo mesatare rreth 60 mijë lek.

Ndërkohë, në Maqedoninë e Veriut, testimi PCR për Covid-19 kushton 30 euro në laboratorin shtetëror, kur një pacient shkon pa rekomandim nga mjeku dhe 40 euro në klinikat private.

“Testi PCR tampon ka rënë nga 4500 denarë në 2500 denarë (me euro kjo i bie nga 75 euro, kane rene në 40 euro) ne spitalet private”, i thotë për Gazetën "Si" Lume Dervishi, gazetare nga Maqedonia e Veriut. “Rënia e çmimit ka ardhur si pasojë e futjes së testeve të shpejta të antigenit në treg, që tregojnë rezultatin për 15-30 min. Çmimi i testeve të shpejta në spitalet private është 1000 denarë (16 euro)”.

Shqiptarët e Shqipërisë paguajnë po ashtu pesëfishin e çmimit për një tampon në krahasim me shqiptarët e Kosovës.

Në Kosovë çmimi i një testimi PCR në spitalet private është më i ulët se ai i Maqedonisë së Veriut, me një kosto prej 20 eurosh. Ky çmim ishte fillimisht mbi 50 euro, por qeveria ndërhyri për uljen e tij pas pakënaqësisë së shprehur nga opinioni publik. Metodë tjetër e testimit molekuar në laboratorët private në Kosovë është edhe testi GeneXpert SARS COV-2 që e zbulon virusin brenda 45 minutave. Për shkak të realizimit të shpejtë dhe kostove të reagjentëve, ky test kushton 200 euro.

Ndërkohë, në Mal të Zi një tampon kushton 20 euro, ndërsa në Serbi dhe Bosnjë-Hercegovinë kanë çmime disi më të përafërta me Shqipërinë. Në spitalet private serbe një tampon kushton 50 euro ndërsa në ato boshnjake kushton 60 euro.

Vendi ynë mban rekord çmimesh të larta jo vetëm në krahasim me vendet fqinje por edhe ato europiane. Në Francë tamponët po i bëjnë kryesisht falas, ndërkohë që në Italinë fqinje diku 20 euro. Ndër çmimet më të ulëta në Europë i ka Turqia, me një çmim prej 15 eurosh.

Çmimi prej 12 mijë lekësh në Shqipëri është vendosur në unanimitet nga të gjithë laboratorët që ofrojë testime PCR për Covid-19 në korrik, kur numri i testimeve si dhe ai i të infektuarve nuk ishte kaq i lartë. Prej një jave, numri i testimeve ditore në Shqipëri është mbi 2 mijë dhe më shumë se gjysma e tyre vijnë nga laboratorët privatë. Në tre laboratorët më të mëdhenj privatë në Shqipëri gjen pothuajse cdo ditë radha qytetarësh që presin të testohen, pasi kapaciteti i Institutit të Shëndetit Publik është tejkaluar.

Por deri më tani në Shqipëri nuk ka pasur reagim për çmimin e testimit në laboratoret private. Erion Dasho, mjek epidemiolog, ka ngritur prej kohësh alarmin se çmimi i këtij shërbimi në Shqipëri është përtej mundësive të qytetarëve.

“Unë mendoj se çmimi rreth 100 Euro i testit është goxha i lartë. Megjithatë, kompanitë që e ofrojnë në treg duhet të bëjnë transparentë markën e testit, sepse duke e njohur, qytetarët mund të vlerësojnë besueshmërinë e rezultateve. Fakti që asnjë kompani nuk po e bën transparente këtë është domethënëse sepse flet për një mundësi spekulimi. Në treg qarkullojnë edhe teste me 5-10 Euro për test dhe kuptohet se për çfarë fitimesh bëhet fjalë dhe çfarë çmimesh spekulative i ofrohen tregut, Mendoj se është e detyrueshme të bëhet transparencë për llojin e testeve që përdoret”, shprehet ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë