Rend dhe Ligj

I morën përmes mashtrimit 140 mijë euro pronarit të një ‘exchange’ në Shkodër, arrestohet në Stamboll gjeorgjiani

Gazeta Si – Një 40-vjeçar gjeorgjian është deportuar këtë të diel në Shqipëri pas arrestimit në Turqi, i dyshuar si një nga autorët që mashtruan pronarin e një pikë këmbimi valutor në Shkodër, ku i morën 140 mijë euro.

Pas identifikimit, të tre autorët u zbuluan se ishin gjeorgjianë, teksa në bashkëpunim me policinë e Turqisë u bë i mundur arrestimi i njërit prej tyre

Sipas policisë, 40-vjeçari me inicialet K.J., është deportuar në Rinas mesditën e sotme. Në momentin e kapjes në aeroportin e Stambollit, policia turke gjatë kontrollit fizik, i gjeti me vete një shumë prej 7500 euro. Ndërkohë hetimet kanë zbuluar edhe dy autorë të tjerë dhe po punohet për kapjen e tyre.

Më datë 9 gusht këta persona i kanë marrë pronarit të një pike të këmbimit valutor nëpërmjet mashtrimit 140 mijë euro dhe më pas janë larguar nga vendi.

“Si rezultat i veprimeve intensive hetimore të kryera nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Shkodër, pas kallëzimit nga pronari i një exchange, se 3 shtetas e kishin mashtruar në exchange, duke i marrë një shumë parash në euro, u bë i mundur identifikimi i 3 autorëve të dyshuar”, njoftoi policia.

Për këtë arsye janë shpallur në kërkim dhe dy gjeorgjianë të tjerë, 45 vjeç dhe 36 vjeç. “Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet intensive për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti”, vijon policia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë