Gazeta Si - Një pasuri prej rreth 55 milionë euro, i është sekuestruar grupit që dyshohet se tjetërsoi pronat në bregdetin e Shëngjinit. Bëhet fjalë gjithsej për rreth 300 mijë metra katrorë, në 75 pasuri të ndryshme.
Vendimi i marrë nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, është konfirmuar këtë të premte nga Gjykata e Posaçme e Apelit. Kjo e fundit, ka rritur edhe dënimet me burg për të gjitha personat përgjegjës.
Mes të dënuarve me burg, është edhe Xhevi Ndoka dhe Mimoza Ndoka, të cilët janë përkatësisht vëllai dhe motra të ish-deputetit të Partisë Socialiste në Lezhë, Arben Ndoka.
Në fakt, Prokuroria e Krimeve të Rënda i ka sekuestroi pasuritë e familjarëve dhe të afërmve të ish-deputetit që prej një viti.
Arben Ndoka u arrestua në kuadër të operacionit “Vol-Vo 4”, ndërkohë që iu sekuestrua një sipërfaqe toke rreth 300 mijë metra katrorë tokë në zonën e Malit të Rrencit, Shëngjinit, Rana e Hedhur, Laguna e Lezhës si dhe disa apartamente në plazhin e Shëngjinit.
Ndoka ra në rrjetën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, pas disa përgjimeve telefonike, nga të cilat rezultoi i përfshirë në një skemë tjetërsimi pronash toke në zonën e Kunes dhe Ranës së Hedhun në Shëngjin.
Skema u zbardh gjatë procesit hetimor ndaj vëllait të ish-deputetit të PS-së, Gjevi Ndoka, i dyshuar si i lidhur me Avdylajt e Shijakut, të cilët akuzohen për trafik droge dhe porositës të heroinës së laboratorit të Hasit.
Më herët për çështjen e tjetërsimit të pronave në Shëngjin, është dënuar edhe ish kryetari i bashkisë së Lezhës me Partinë Demokratike, Fran Frrokaj. Ish- kryebashkiaku i Lezhës Fran Frrokaj u arrestua në muajin mars të vitit 2018 me akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Hetimi për këtë dosje nisi që në vitin 2016 dhe ishte një nga fraksionet e dosjes së njohur si “339” ku përpos grupeve kriminale të drogës u kapen edhe përgjime për manipulim votash.
Lista e të dënuarve:
Xhevi Ndoka ishte dënuar me 6 vite e 8 muaj burg, dënimi i shkon në 10 (dhjetë) vjet burgim, i cili do të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.
Mimoza Ndoka ishte dënuar me 1 vit 4 muaj, me kusht, teksa me vendimin e apelit i shkon 5 vjet e 4 muaj burgim, i cili do të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
Emanuel Gjura ishte dënuar me 4 vite e 8 muaj burg, ndërsa i ndryshon me një dënim prej 6 vjet burgim, i cili do të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.
Zef Lazri ishte 8 muaj burg, dënohet me 4 vjet e 8 muaj burgim, i cili do të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.
Blendi Ndoka ishte me 3 vite e 6 muaj burg, dënohet me 6 vjet e 8 muaj burgim, i cili do të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.
Luigj Paloka 4 vite e 8 muaj burg, me kusht, dënimi shkon në 5 vjet burgim, i cili do të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
Paulin Simoni ishte 3 vite e 4 muaj burg, dënohet me 3 vjet e 8 muaj burgim, i cili do të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
Vlash Gaxulli ishte 2 vite burg, me kusht, 2 vjet e 8 muaj burgim, i cili do të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
Genc Zeneli ishte 2 vite burg, me kusht, dënohet me 2 (dy) vjet e 4 (katër) muaj burgim, i cili do të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
Kol Lleshi ishte 2 vite burg, me kusht, dënohet me 2 vjet e 4 muaj burgim, i cili do të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
Marjeta Përskura dënohet me 1 vit e 8 muaj burgim, i cili do të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.