Gazeta Si – Forcat speciale RENEA kanë arrestuar të shumëkërkuarin e SPAK, Aldo Avdylaj gjatë një operacioni të zhvilluar mëngjesin e kësaj të marte në një apartament pranë zonës te Kopshti Zoologjik në Tiranë.
Në banesë Avdylajt iu gjet edhe një pistoletë dhe municion luftarak, që e mbante poshtë jastëkut. Ndaj tij rëndojnë tre akuza: “Vrasja me paramendim, kryer për hakmarrje, pastrim parash dhe armëmbajtje pa leje”.
Nipi i kreut të grupit të Shijakut, Astrit Avdylaj, prej vitesh ishte shpallur në kërkim si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Përgjimet e zbardhura së fundmi nga SPAK kanë provuar përfshirjen e tij në disa ngjarje kriminale.

Aldo alias Elidon Avdylaj dyshohet të jetë autori i vrasjes së Edmir Bregut në vitin 2021 në Durrës në kuadër të përplasjeve me grupin e Plarent Dervishajt.
Vrasja u zbardh pas komunikimeve në Sky ECC të grupit të Rrumit të Shijakut dh Astrit Avdylajt. Sipas SPAK, porositësi i vrasjes së Bregut ishte Astrit Avdylaj në shenjë hakmarrje për tentativën për të vrarë Aldon.
Si ekzekutorë vepruan Alfred Doka dhe Ermir Dedja. Doka është në kërkim, ndërsa Dedja u ekzekutua më 20 maj të këtij viti në Durrës. Si ndihmës, SPAK akuzon edhe Enea Kumen, vëllain e deputetit të PS, Loer Kume.

I cilësuar si person tejet i rrezikshëm, Avdylaj dyshohet se ishte pjesë e grupit me pagesë si dhe grupit të tjetërsimit të pronave në Durrës.
Në përgjimet e zbardhura në “Sky Ecc” me biznesmenin e zhdukur Ervis Martinaj, xhaxhai i Aldo Avdylajt, Astrit Avdylaj shprehte gatishmërinë për të ndihmuar në eleminimin e Durim Bamit në Fushë Krujë me anë të nipit të tij i cili mund të përdorte edhe snajperin.
Më 2 Tetor, SPAK kreu një operacion që çoi në shkatërrimin e këtyre dy grupeve kriminale në Gjirin e Lalzit, të përfshirë në vrasje dhe në tjetërsime pronash përmes falsifikimit të dokumenteve. Në kuadër të hetimit, u sekuestruan 11 pasuri me sipërfaqe totale 254.300 m², në zonën bregdetare të fshatit Shetaj, Durrës.

Në pranga u vunë 4 persona: Vullnet Muça, vëllai i Aleksandër Lahos, Enea Kume, vëllai i deputetit Loer Kume, Vlash Brahja dhe Astrit Avdylaj alias Astrit Balliu, i cili ndodhet në burg në kuadër të operacionit “Revanshi. Aldo Avdylaj del në komunikimet e SkyEcc me Rrumin e Shijakut edhe tjetërsimin dhe falsifikimin e dokumenteve për toka në Gjirin e Lalzit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)


