Gazeta Si - Një punonjëseje të Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, i janë sekuestruar nga Prokuroria e Tiranës disa prona dhe automjete, pasi dyshohet se janë të vëllait të saj, i cili është arrestuar në Angli për trafikim të lëndëve narkotike.
Sipas organit të akuzës në kryeqytet, shtetësja I.H., ishte punësuar prej vitit 2011 në Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare, me një pagë bruto 61.000 lekë dhe nuk e justifikon blerjen e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme.
Prokuroria shton se brenda një periudhe një mujore, I.H., ka përfituar në llogarinë e saj vlerën 180.000 euro cash ose nëpërmjet transfertave bankare, nga ish-kunati, tezja apo njerëz të tjerë të afërt.
Nga fondet e kredituara ne llogari, vlera 160.000 Euro është transferuar nga punonjësja e shtetit në llogarinë e noterit me qëllim blerjen e një pasurie të llojit apartament. Ndërsa ka në pronësi edhe pesë prona të tjera të paluajtshme dhe 6 automjete.
Duke ju referuar kontratave noteriale të blerjeve të pasurive të paluajtshme dhe pasurive të luajtshme (automjeteve relativishit të shtrenjta) dhe huadhënieve të vlerave monetare, vërehet se këto janë nënshkruar pothuajse të gjitha në harkun kohor të viteve 2022-2024, pas arrestimit të vëllait të saj me iniciale O.H. më 23 korrik 2021 për vepra penale në fushën e narkotikëve.
Prokuroria e Tiranës informon se pasuritë e paluajtshme të I.H., vëllait të saj dhe familjarëve të tyre janë produkte të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, ku ka qenë i përfshirë i arrestuari për drogë.
“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, kërkoi sekuestrimin e pasurive të shtetases I.H., të dyshuara se janë produkte të veprës penale ose veprimtarisë kriminale. Në kuadër të hetimeve të procedimit penal nr.5061, të vitit 2024, për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e parashikuar nga neni 287 i K.Penal, mbi dyshimet për shtetasen I.H., prokuroria arriti në konkluzion se pasuritë e kësaj shtetase dhe familjarëve të saj janë produkte të veprës penale ose veprimtarisë kriminale. Shtetasja në fjalë, brenda një periudhë një mujore ka përfituar në llogarinë e saj vlerën 180.000 euro cash ose nëpërmjet transfertave bankare, nga ish kunati, tezja apo njerëz të tjerë të afërt. Nga fondet e kredituara në llogari, vlera 160,000 Euro është transferuar nga shtetasja I.H. në llogarinë e noterit me qëllim blerjen e një pasurie të llojit apartament. Ndërsa ka në pronësi edhe pesë prona të tjera të paluajtshme dhe 6 automjete. Prokuroria provoi se shtetasja I.H., e punësuar prej vitit 2011 në ‘Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare’, me një pagë bruto 61.000 lekë, nuk e justifikon blerjen e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme”, - thuhet mes të tjerash në njoftimin e Prokurorisë së Tiranës.
Për këtë arsye kërkohet caktimi i masës së sigurimit pasuror “Sekuestron Preventive” për: pasuritë e paluajtshme, në emrin e shtetases I. H. dhe familjarëve të saj;
Nr.210/27, ZK1676 , Vol 23, Faqe 185;
Nr. 166/7, ZK1676 , Vol 23, Faqe 187;
Nr. 210/29, ZK 1676, Vol 23, Faqe 147;
Nr. 110/76, ZK3215, Vol 15, Faqe 106;
Nr.23/41+2-6, ZK3266, Vol 41, Faqe 69; dhe
Nr. 114/20, ZK 16776, Vol 4, Faqe 161
Sekuestrimin pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor Tiranë për automjetet:
Volkswagen golf 5;
Renault Clio;
Audi Q3;
Volvo CX60;
Mercedes Benz ML350 BLUETEC; dhe
Audi SQ7.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.