Drejtësia

I dërgoi babait 800 euro në Siri, GJKKO pranon kërkesën për gjykim për financim të terrorizmit

Gazeta Si – SPAK ka përfunduar hetimet për Muhamet Manollarin, të akuzuar për financim të terrorizmit dhe ka paraqitur më datë 21 mars kërkesën në GJKKO për gjykim-procedim, kërkesë e pranuar nga Gjykata këtë të martë (28 maj).

Muhamet Manollari akuzohet se i ka dërguar babait të tij, Mehdi Manollari në Siri një shumë prej 864 euro nëpërmjet një institucioni që ofron shërbime financiare “transferta monetare” në 19 nëntor 2018.

Sipas SPAK, ai nuk ia ka dërguar paratë në mënyrë të drejtpërdrejtë të atit, pasi ka qenë i listuar si person ndaj të cilit nuk mund të kryheshin transferta, por ia ka nisur një personi tjetër të referuar prej tij, shtetasit sirian me iniciale A.A.S.

Muhamet Manollari ka përdorur një kartë identiteti në emër të shtetases me iniciale A.N., e cila e kishte raportuar atë të humbur, disa kohë para ngjarjes.

Mehdi Manollari është larguar nga Shqipëria për në Siri në 5 maj 2013 duke u bërë pjesë e organizatës ISIS, e listuar si organizatë terroriste nga Këshilli i Sigurimit të Organizatës të Kombeve të Bashkuara.

Më 2 nëntor 2016, ai u vendos në listën kombëtare të personave të shpallur për financim të terrorizmit. Ndërsa besohet se ka ndërruar jetë në vitin 2019.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë