Politike

I dënuar me 1 vit burg nga Shkalla e Parë, Salianji propozon amendamentin: Deputetët të përjashtohen nga amnistia

I dënuar me një vit burg nga gjykata e Shpallës së Parë për çështjen ‘Babale’ në pritje të Apelit (prej tre vitesh thuajse), Ervin Salianji ka deklaruar nga kryesia e Kuvendit se ka propozuar një amendament përmbajtja e së cilës e përjashton atë nga paketa e amnistisë së propozuar nga ministria e Drejtësisë.

Kjo sipas tij për të shmangur çdo keqkuptim se po bëhen negociata me PS-në në këmbim të votave që duhen për të kaluar paketën. Nisma e tij erdhi pas një amendamenti të diskutueshëm të deputetit demokrat, Ferdinand Xheferraj ku kërkohet amnistimi i çdo personi që është dënuar me 2 vjet nga shkalla e parë dhe nuk është dhënë ende një vendim i formës së prerë nga gjykata e Apelit.

Salianji në anën tjetër propozoi të premten që nga ky amendament të përjashtohen deputetët apo ish-deputetët.

“Përmes këtij amendimi dua dhe synoj të përjashtohet kjo e drejtë për shtetasit që janë aktualisht deputetë të zgjedhur, kjo që amnistia të mos shfrytëzohet. Për çdo njeri që ka ngrenë sallatë kot këto kohë duke menduar që ka pasur ndonjë amendim për të përfituar në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe për një çështje 600 e kusur procedime penale në përballjen 30 vjeçare që kanë patur me qeverinë, po i them që sapo e kam depozituar vet që nuk përfshihen.

Unë nuk hyj tek ata që cenojnë dinjitetin, nuk bëj asnjë kompromis me asnjë nga akuzat, bandit, kriminel mafioz që është përfshirë në trafik droge dhe që e kam denoncuar në të kaluarën. Jam i vetmi politikan që gjykohem në gjykatë për shkak të një denoncimi në interes të shërbimit publik. Nuk kam asnjë akuzë që projektligji i depozituar përmendte. Për të hequr çdolloj keqkuptimi, apo prepotence nga PS dhe qeveria që gjithçka që ka të bëjë me interesat e publikut apo edhe një projektligj që prek interesat e dhjetëra familjeve dhe që është i detyruar dhe t’i kërkojë opozitës për bashkëpunim, e shet si formë negociate. Kështu që me këtë propozim kam menduar që e ndaloj këtë situatë, e qartësoj për publikun”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë