Ka ndodhur

I dënuar 3 herë për drogë, Prokuroria i sekuestron 6 mln euro pasuri Alban Xhepajt

Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar një pasuri prej 6 milionë eurosh, që i përkasin një shtetasi të dënuar për trafik droge.

Bëhet fjalë për shtetasin Alban Xhepa, i cili rezulton i dënuar 3 herë në Itali në fushën e narkotikëve dhe për krime kundër personit.

Prokuroria i ka sekuestruar 10 automjete, 7 prona, llogari bankare dhe katër biznese me vlerë afro 6 milionë euro për llogari të një hetimi për pastrim parash, në ngarkim të Alban Xhepës, Lorenc Xhepës dhe Baftjar Xhepës.

Sipas prokurorisë, Alban Xhepaj kishte në administrim kompani të ndryshme dhe kryente veprimtarinë e pastrimit të produkteve të veprës penale. Në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit dhe të Pastrimit të Parave, është bërë e mundur bllokimi fillestar i një sasie relativisht të madhe monetare të këtij shtetasi.

Hetimi ka zbuluar se nga ana e përfaqësuesve të subjekteve që kanë përfituar fonde nga Qipro me dërgues shoqërinë ‘Tripdale Limited’ është kërkuar që fondet të mos kreditohen në llogari të tyre për shkak se dërguesi kërkon kthimin e fondeve. Në këtë mënyrë është hetuar për llogaritë në bankën ‘ISP’ të shoqërive ‘GoITradeIInternational’, ‘Eni Gjika’, ‘International Marketing Solutions Global’, ‘Avni Vila’,‘IrdiLika’, ‘Migena Ballabani’ dhe ‘Gerald Beno’.

Për hetimin e çështjes është bashkëpunuar dhe me autoritetet e huaja, ku rezulton se i hetuari Alban Xhepaj të jetë dënuar 3 herë në Itali për veprat penale në fushën e Narkotikeve, falsifikimit si dhe të krimeve kundër personit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë