Lajmi se një ditë më parë djali i ish-presidentit Bujar Nishani ka kërkuar të heqë dorë nga shtetësia shqiptare, ka shkaktuar jo pak zhurmë në media.
Sipas botimit në Fletoren Zyrtare, Ersilio Bujar Nishani ka lënë shtetësinë e vendlindjes së tij në dekretin e 18 marsit të këtij viti, një dekret që mban firmën e Presidentit Ilir Meta.
Megjithatë, ish-Presidenti, përmes një statusi në “Facebook”, ka dashur te sqaroje se bëhet fjalë për një detyrim ligjor në shtetin ku banon i biri.
Ky i fundit jeton prej rreth 10 vitesh në Austri dhe si student i Mjekësisë, i është ofruar statusi i asistent/pedagogut. Nishani shpjegon se shteti i Austrisë i ka ofruar dhe nënshtetësinë, por sipas tij ekziston detyrimi ligjor që nuk mund të mbahen dy shtetësi.
“Të nderuar miq, sot media e propagandës së narkoqeverisë u përpoq të injektojë si lajm negativ, procedurën e lënies së nënshtetësisë nga djali im, – shkruan ai në një status në rrjetet sociale. – Im bir jeton prej afro 10-të vitesh në Austri dhe është aktualisht një prej studentëve të shkëlqyer në Universitetin e Mjekësisë së Vjenës, ku prej disa vitesh ka fituar edhe statusin e asistent/pedagogut. Shteti Austriak i ka dhënë nënshtetësinë austriake, por kanë rregullin që nuk lejohet dy shtetësia”.
Ish- Presidenti sqaron më tej se ai nuk i ka ushqyer fëmijët me para të vjedhura dhe paratë e drogës dhe se është krenar për fëmijët e tij.
“Unë jam shumë krenar për fëmijët e mi pasi vetëm më kanë nderuar dhe kurrë nuk kane përfituar. Turp dhe e papranueshme është ti ushqesh fëmijët me para të vjedhura apo paratë e krimit të organizuar dhe jo kur nderojnë prindërit dhe këdo tjetër që është në nevojë për ndihmë. Kuptohet se qëllimi i kësaj fushate propagande jam unë, – deklaron ai. – Regjimi i narkotrafikut dhe avoketërit e tij duket se paskan frikë prej aktivitetit tim qytetar. Kjo më kënaq në fakt”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



