Rend dhe Ligj

I arrestuar për dosjen ‘Metamorfoza’, Pëllumb Gjoka thyen këmbën në burg dhe përfundon në spital

Gazeta Si- Biznesmeni Pëllumb Gjoka, i arrestuar në kuadër të operacionit “Metamorfoza” dhe i dyshuar për disa vepra të rënda penale, ka përfunduar në spital.

Burime policore bëjnë me dije se Gjoka ka thyer këmbën gjatë kohës që ishte duke u marrë me aktivitete sportive në paraburgimin e 313 në Tiranë dhe këtë të enjte është dërguar në një spital privat për të kryer ndërhyrjen kirurgjikale.

Ai u arrestua një vit më parë, pas zbardhjes së komunikimeve në aplikacionin e enkriptuar “Sky ECC”, ku në pranga përfunduan efektivë policie, prokurorë e ish-prokurorë.

Gjoka akuzohet për “Vrasja me paramendim”, në dëm të viktimës Gjin Ndoj (Boriçi), finalizuar në datën 09.08.2020, në qytetin e Shkodrës, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.

SPAK ka dërguar për gjykim edhe Astmer Bilalin, Oltian Bistrin, Xhevahir Litën, Edmond Prekën, Behar Brajoviq dhe Ardrit Hasanbegajn.

Në një bisedë midis Pëllumb Gjokës dhe Behar Bajrit, dyshja planifikojnë eliminimin e Ndojit. Gjoka kërkon me çdo kusht vrasjen e tij, prandaj i kishte vënë në dispozicion Bajrit që të kërkonte sa para të dëshironte, shuma këto që shkonin 100-110 mijë euro.

Ai ka bërë disa rekurse në GJKKO për një masë më të butë sigurie, por që janë refuzuar nga gjykata.

I vënë në hetim pasuror, SPAK i ka sekuestruar dhjetëra prona në Shkodër dhe Velipojë biznesmenit dhe të afërmve të tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë