Drejtësia

I arrestuar nga SPAK për pastrim parash, Apeli i GJKKO liron nga qelia Erzen Breçanin

Gazeta Si- Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka liruar nga qelia Erzen Breçanin, i cili u arrestua në kuadër të operacionit “Metamorfoza” me akuzën e pastrimit të parave. Apeli ka ndryshuar masën e sigurisë për Breçanin, duke caktuar “arrest në shtëpi”.

Në maj të këtij viti, ish-nëndrejtori i Policisë së Tiranës, pretendoi se i rrezikohej jeta në qeli dhe se vuante nga klaustrofobia ose frika nga vendet e mbyllura.

Në muajin shkurt, ish-zyrtari i lartë i Policisë u dërgua në spitalin e burgut pasi deklaroi se kishte frikë nga ambientet e mbyllura. Ai kërkoi zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest me burg” të caktuar ndaj tij, por GJKKO e rrëzoi.

Erzen Breçani u arrestua më 20 nëntor 2023 dhe akuzohet për pastrim parash e përkrahje të autorit të krimit, ku dyshohet se i përfshirë është edhe djali i tij, Eralbi Breçani, i shpallur në kërkim.

SPAK lëshoi 11 urdhër arreste ku u prangosën zyrtarë të lartë të policisë, ku mes të cilëve ishin Dedan Gjoni, shef i krimeve në komisariatin e Policisë numër 6, Erzen Breçani, ish-nëndrejtor i policisë së Tiranës, Bujar Ajezin dhe Besmir Murati.

Ata akuzohen për “pastrim parash”, “grup i strukturuar kriminal”, “trafik droge”, “sigurim kushtesh për të kryer vrasje”, “shpërdorim detyre” dhe “përkrahje të autorit të krimit”, ndërsa Erzen Breçani akuzohet për “përkrahje të autorit të krimit”.

Breçani, sipas dosjes së SPAK rezulton që të ketë përdorur një nga aplikacionet SKY të blera nga Nuredin Dumani. Breçani i rrefën të birit se aplikacionin, ja ka dhënë Bujar Gërzmizi, pasi i kishin përgjuar në qytetin e Kukësit.

Në dosje thuhet se Breçani bën debate me të birin duke i thënë se ata si familjen kanë bërë 3 milion euro pasuri me punë të ndershme.

Ai e kritikon që të mos merret më me narkotrafik dhe të heq dorë, pasi i kishte premtuar që do merrej një vit dhe jo 3 vite.

Në bisedën e një dite më pas, Breçani i kërkon informacione djalit për çëshjten e drogës nëse e kanë shitur dhe që të bënte kujdes, sepse SKY nuk ishte më i sigurt.

Po ashtu, ish-polici i kërkon djalit të ketë kujdes nga Ervin Mata. Në një moment Breçani shprehet se ai është i infiltruari i policisë. Sipas dosjes, ai njofton Bujar Ajetin dhe Dumanin për operacionet e policisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë