Drejtësia

I akuzuar për vrasje të mbetur në tentativë dhe grup kriminal, SPAK kërkon 25 vite burg për Gjergj Cukalin

Gazeta Si- Prokuroria e Posaçme ka kërkuar dënimin me 25 vite burg për Gjergj Cukalin, të akuzuar për vrasje të mbetur në tentativë dhe grup kriminal.

Për Enver dhe Ermond Jamakun që bashkëpunuan me drejtësinë për zbardhjen e disa ngjarjeve kriminale, SPAK kërkoi dënimin me 8 vite burg, ndërsa për Blendi Dedën dhe Flor Abazin 22 vite heqje lire dhe për Paris Prengën 21 vite burg.

Këta persona akuzohen për një sërë veprash penale nga grup kriminal, vrasje e mbetur në tentativë, shkatërrim prone me eksploziv dhe armëmbajtje pa leje lidhur me dy episode, vendosjen e tritolit në automjetin e shtetasit Gjon Mena dhe vendosjen e tritolit në automjetin e shtetasit, Artion Bylyku.

Gjergj Cukali, i ashtuquajturi “i forti i Myslym Shyrit”, akuzohet nga SPAK së në bashkëpunim me Enver dhe Ermond Jamakun në shkurt 2021 tentuan të eliminonin shtetasin Gjon Mena, duke i vendosur tritol në makinë.

Kushërinjtë Jamaku, të parët që ranë në pranga pas ngjarjes në Kamzë, u treguan bashkëpunues me drejtësinë, duke rrëfyer edhe 3 ngjarje të tjera kriminale, si dhe për ekzistencën e disa bazave të armatimit në Tiranë.

Enver dhe Ermond Jamaku, në bashkëpunim me Blendi Dedën e Flor Abazin, sipas SPAK tentuan të eliminonin në 2019 Domart Konjarin, një i shumëkërkuar i drejtësisë shqiptare. Por pre e atentatit ra gabimisht kunati i tij.

Të dy kushërinjtë, në bashkëpunim me shtetasin Sokol Xhura në vitin 2017, dyshohet se qëlluan ndaj avokatit Paulin Paplekaj dhe disa ditë më vonë vendosën armën dhe plumbat në banesën e një tjetër shtetasi që ta implikonin.

Nga e njëjta dëshmi, SPAK dhe Policia arritën të gjenin edhe 18 baza armatimi në kryeqytet në banesat dhe ambientet në zotërim nga Sokol Xhura e Akil Kulla, ku u sekuestruan me dhjetëra armë zjarri të sofistikuara.

Të pandehur për armëmbajtje pa leje u dërguan në gjykatë edhe Arben Sufa, Bujar Jaupi dhe Petrit Shera. Në të gjitha rastet, Prokuroria beson se ngjarjet kriminale janë kryer në këmbim të vlerave monetare dhe për llogari të personave të tjerë, ende të paidentifikuar. Ndërkohë SPAK pushoi hetimet për mungesë provash për Festim Mustafën dhe Klodian Kullën.

Gjatë dëshmisë së tij, Jamaku ka thënë se Cukali i ka premtuar dhënien e 30 mijë eurove, në këmbim që ai të vendoste tritolin në mjetin e biznesmenit Mena.

Ngjarja u shënua më 9 shkurt 2021, ku në rrugën “Silvio Berluskoni”, Kamëz, Tiranë, është tentuar të vritet me eksploziv të telekomanduar Gjon Mena. Si pasojë e shpërthimit Mena pati dëmtime në gjymtyrë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë