Gazeta Si - Katër persona kanë dhënë dëshmitë e para katë të hënë në Gjykatën e Posaçme në gjyqin ndaj biznesmenit Rezart Taçi, i cili akuzohet se i përfshirë në tentativën e pastrimit të 18.3 milionë eurove të mafies italiane “Cosa Nostra” dhe i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia shqiptare.
I pari ishte noteri Ermal Hamzaj, i cili ka hartuar prokurën e posaçme që u firmos në Palermo nga italiani Francesco Zummo, një nga bashkëpunëtorët në këtë skemë të dyshuar për pastrim parash.
Sipas dëshmisë së Hamzajt, ai u kontaktua nga bashkëshortja e Rezart Taçit, Najada Taçi, për të hartuar prokurën dhe për të udhëtuar në Itali ku do të merrte nënshkrimin e Zummo-s.
Ai ka theksuar se komunikimi dhe pagesat për këtë shërbim janë kryer nga bashkëshortja e Taçit, ndërsa Zummo firmosi dokumentin për një periudhë të shkurtër kohore gjatë takimit në Itali.
Dëshmitarët e tjerë ishin ish-punonjësja e "Taçi Oil" Denisa Domi, juristi Emiljano Gjika dhe biznesmeni Elton Balliu, pronar i "Ebc Oil Company", me të cilin Taçi ka pasur takime pune.
Ata kanë deklaruar se me Taçin kishin patur mardhënie pune, ndërsa me Francesco Zumon, e kishin dëgjuar përmes lajmeve në media. Seanca e radhës u la për në 31 Tetor, për të vijuar me pyetjen e dëshmitarëve të tjerë.
Disa javë më parë, SPAK mbylli hetimet ndaj tre bashkëpunëtorëve italianë të tij. Prokuroria e Posaçme i kërkoi gjykatës të dënojë për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”, shtetasit italianë Francesco Zummo, Fabio Petruzzella dhe Daniele Cestagalli, si pjesë e grupit të Taçit.
Sipas SPAK tre të pandehurit italianë në bashkëpunim me Rezart Taçin, kunatin e tij Artur Balla dhe ish-shoqëruesin e biznesmenit kanë organizuar një skemë komplekse financiare të paligjshme, të shtrirë në disa shtete, me qëllim pastrimin e milionave eurove.
Sipërmarrësi 90-vjeçar nga Palermo, Francesco Zummo dhe kontabilisti Fabio Petruzzella, të dy nën akuzë kanë mbërritur në Shqipëri në qershor të vitit 2021. Ata janë pritur nga bashkëpunëtorët e Rezart Taçit, Balla e Lilo.
Në ditët në vijim u hapën disa llogari bankare në Shqipëri, ndërsa në një bankë të nivelit të dytë u transferuan 18,3 milionë euro në një llogari të vetme, të konfiskuara tashmë me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Në dosjen e SPAK ka prova që tregojnë se për transferimin dhe fshehjen e shumave monetare, institucioni në fjalë përfitonte 16% të shumës monetare që është transferuar në Shqipëri dhe që do të vijonte të transferohej në vende të tjera.
Taçi është duke u gjykuar nga Gjykata e Posaçme në mungesë pasi ndodhet në kërkim që prej vitit 2022 dhe dyshohet se ndodhet në Itali.
Shuma monetare prej 18 milionë eurosh është vënë në sekuestro ditën që u transferuan me vendim të Gjykatës së Posaçme, ndërkohë një sekuestro e dytë iu vendos nga një gjykatë italiane.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.