Drejtësia

I akuzuar për korrupsion, Apeli në burg ish-kreun e ARRSH-së, Evis Berberi

Gazeta Si - Apeli i Posaçëm rrëzoi sërish kërkesën e ish-kreut të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi për ndryshim të masës së sigurisë, i akuzuar për korrupsion.

Berberi kërkoi masë më të lehtë se ajo e “arrestit në burg”, kërkesë e cila nuk u mor parasysh nga gjyqtarja Saida Dollani.

Ish-kreu i ARRSH, mbahet në qelinë e paraburgimit që prej datës 16 mars të këtij viti. Bashkë me të në pranga u vendos edhe Valter Begaj edhe Ervis Lami.

Ky i fundit u la i lirë pak kohë më parë nga shkalla e parë, por Apeli i Posaçëm e riktheu sërish në qeli, pas ankimimit të vendimit të GJKKO nga Prokuroria e Posaçme.

Nga hetimet e organit të akuzës, rezultoi se Berberi gjatë kohës që ka qenë në krye të Agjencisë për Efiçensës e Energjisë, por edhe në krye të ARRSH dha gjashtë tendera për kompaninë e ortakut të tij Valter Begaj dhe më pas fitimet i kalonin kompanisë që ai zotëronte në mënyrë indirekte.

Dy biznesmenët Lami dhe Begaj dyshohet se në bashkëpunim me Berberin, kanë bërë shitje fiktive të kompanisë së ish-kreut të ARRSH dhe veprime të tjera fiktive duke bërë të mundur fshehjen e veprës penale të korrupsionit.

Hetimi i SPAK tregon se përfitim ka qenë rreth 2.2 milionë euro që u investuan nga kompania “DAAM” ShPK, në pasuri të paluajtshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë