Drejtësia

I akuzuar për korrupsion, Apeli lë në fuqi pezullimin nga detyra të mjekut Edvin Prifti

Gazeta Si – Zgjatet edhe me 3 muaj të tjerë masa e pezullimit nga detyra për mjekun Edvin Prifti i akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash.

Apeli i GJKKO ka lënë këtë të premte në fuqi pezullimin për ushtrimin e profesionit për kardiokirurgun një vit e gjysmë pa akuzave.

Ai kishte kërkuar heqjen e masës së vendosur ndaj tij nga Gjykata e Shkallës së Parë, por trupa gjykuese ka vendosur rrëzimin e ankimit.

Në seancë ka qenë i pranishëm vetë mjeku kardiolog Edvin Prifti, i cili ka kundërshtuar kërkesën e prokurorisë.

Mjeku Prifti nuk i kurseu ironitë, ndërsa theksoi se: ‘Nuk prish provat duke operuar qytetarët nga zemra”.

Mes të tjerash kardiologu i njohur tha se pezullimi nga detyra për të është sikur t’i marrësh jetën. “Të më pezullosh nga detyra është njësoj si të më marrësh jetën”, tha ai.

Sipas SPAK, ka prova të mjaftueshme që krijojnë dyshime se Prifti kishte ngritur një skemë të mirëfilltë kriminale që konsistonte në paraqitjen e faturave tatimore false me qëllim shmangien nga pagimi i tatimeve.

Mjekut Edvin Prifti iu gjetën në banesë dhe në zyrë 250 mijë euro, si dhe 160 milionë lekë dhe gjykata e la në arrest me burg.

Emri i Priftit doli nga përgjimet që po kryheshin në Gjykatën e Krujës, ku u arrestua dhe u la në burg gjykatësja Enkeleida Hoxha.

Ai mori ryshfet nga kryesekretarja e Gjykatës së Krujës, Manuela Mallakuçi për t’i operuar nënën. Në shtëpinë dhe zyrën e mjekut  me detyrë kardiokirurg në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” u gjet në total 250 mijë euro dhe 16 milionë lekë, për të cilat avokati, Henrik Ligori ka këmbëngulur se shuma prej eurosh që është gjetur në banesën e mjekut ka qenë shumë e fituar nga çmimet ndërkombëtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë