Drejtësia

I akuzuar për atentatin ndaj prokurorit Ndoja- Dyqane, apartament, 2 Audi A8 dhe 1 Bentley… Sekuestrohen pasuritë e Redjan Rrajës dhe familjarëve të tij

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, ka sekuestruar pasurinë e Redjan Rrajës dhe të familjarëve të tij.

Redjan Rraja është nipi i deputetit Rrahman Rraja. Ai është nën hetim si person i dyshuar që ka marrë pjesë në atentatin ndaj prokurorit të Durrësit Arjan Ndoj, ku mbeti i plagosur ky i fundit, Pëllumb Muharremi dhe u vra shoferi i makinës Andi Maloku, ngjarje e ndodhur më 1 Nëntor 2019.

Në kuadër të këtij hetimi, SPAK i ka sekuestruar Redjan Rrajës apartamente, garazhde, makina, orë dhe një shumë parash.

PASURIA E SEKUESTRUAR:

Pasuria e llojit apartament, (Njësi Tregtare) me sip. 76 m2, e ndodhur në Tiranë.

Pasuria e llojit Njësi Tregtare, me sip. 30 m2, e ndodhur në Tiranë.

Pasuria e llojit Njësi Tregtare, me sip. 127.5 m2, e ndodhur në Tiranë.

Pasuria e llojit garazh, me sip. 18.09 m2, e ndodhur në Tiranë.

Pasuria e llojit garazh, me sip. 18.09 m2, e ndodhur në Tiranë.

2 (dy) Automjete të tipit “Audi – A8”.

Automjet i markës “Bentley” tipi Continental.

Një orë dore tip “Roleks”.

Shuma prej 2750 Euro.

Ngjarja

Atentati ndodhi më 1 nëntor të vitit 2019 në autostradën Tiranë-Durrës në afërsi të mbikalimit të Shkozetit. Ditën e ngjarjes Prokurori Ndoja ishte në automjet me një person me precedentë penalë, të njohur si i "forti i Sukthit", Landi Muharremi nga Sukthi, dhe me Andi Malokun, ish-punonjës i policisë në komisariatin e Krujës, aktualisht shofer i prokurorit.

Makinës 'Benz' me targë AA 333 ZD (që rezultoi në pronësi të Fadil Çallikut) dhe në përdorim nga Prokurori Ndoja, ju bë atentat pranë mbikalimit të Shkozetit kur u qëllua ndaj tyre me breshëri automatiku nga një tjetër automjet.

Pas breshërisë së tetë plumbave, makina doli nga rruga, ndërsa të plagosurit janë transportuar me makinë private. Në spital humbi jetën shoferi i prokurorit, Andi Maloku 30 vjeç, i cili kishte marrë një plumb në gjoks dhe nuk mundi t'i mbijetonte plagëve.

Hetimet

Procesi për atentatin e bujshëm ndaj Prokurorit dhe dy personave të tjerë pritet të gjykohet në themel, por dy seancat e para kanë dështuar.

Rraja dhe Halilaj, akuzohen për vrasje të funksionarëve publik të mbetur në tentativë, vrasje në rrethana cilësuese me pasojë vdekjen, vrasje e mbetur në tentativë, armëmbajtje pa leje dhe grup i strukturuar kriminal.

Arjon Halilaj u arrestua në maj 2020 dhe akuzohet si bashkëpunëtor në krim, ndërsa Rraja u prangos teksa po tentonte të largohej nga Shqipëria drejt Malit të Zi.

Sipas grupit hetimor, ai është zbuluar nga shenjat e gishtave të gjetura në një palë syze në makinën “Benz” me ngjyrë gri të përdorur nga autorët.

Dyshohet se shënjestër e atentatit mund të ketë qenë prokurori Arjan Ndoj, i cili u akuzua edhe nga mazhoranca aktuale si i lidhur me bandat kriminale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë