Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të hënën rreth orës 14:30 në Rrugën e Kavajës në Tiranë.
Një 34-vjeçar i identifikuar si Rudolf Nikolli, është futur në ambientet e një xhamie në rrethana të paqarta dhe ka plagosur me thikë 5 persona.
Fatmirësisht të pesë të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën.
Imami i xhamisë, Ahmet Kalaja është shprehur se shpreson që ky sulm ndaj besimtarëve myslimanë të mos ketë qenë një akt terrorist por që autori të jetë një i sëmurë mendor.
Në një reagim të parë, kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar , Bujar Spahiu tha se ishte informuar nga Myftiu i Tiranës, z. Lauren Luli, dhe nëpërmjet medias, për ngjarjen e fundit në Xhaminë “Dine Hoxha”. “Sipas imamit Kalaja dhe besimtarëve dëshmitarë të pranishëm, një person i jashtëm ka hyrë nga rruga në xhami duke plagosur me mjet prerës besimtarët dhe personelin e pranishëm në xhami. Fatmirësisht besimtarët e lënduar janë jashtë rrezikut për jetën. I lutemi Zotit për shërimin e tyre sa më të shpejtë”, deklaroi Spahiu.
“Kërkojmë nga organet përkatëse zbardhjen sa më parë të kësaj ngjarje e cila lëndoi besimtarët në këto ditë Ramazani”, tha Spahiu.
Rudolf Nikollaj ishte në kërkim pasi më 11 mars 2021 ka kryer një tjetër plagosje, po në një situatë të ngjashme po të ndodhur në Terminali e Autobusëve për Jugun. Gjatë këtij konflikti ai plagosi Robert Kurtin dhe ishte shpallur në kërkim dhe nuk ishte kapur nga policia. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe vijon punën për zbardhjen e plotë të saj.
Njoftimi i plotë i Policisë
Rreth orës 14:30, në Rrugën e Kavajës, një shtetas është futur në ambientet e një kulti fetar (xhami) dhe në rrethana ende të paqarta ka plagosur me mjet prerës 5 shtetas.
Falë reagimit profesional dhe të menjëhershëm të shërbimeve të Policisë është bërë i mundur neutralizimi dhe prangosja e autorit të dyshuar, shtetasi Rudolf Nikolli 34 vjeç, nga Burreli, i cili është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Ndërkohë, shërbimet e Policisë iu kanë dhënë ndihmën e parë shtetasve të lënduar, të cilët janë transportuar në spital, për ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën
Në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.