Arsim

Udhëzimi për trajtimin e veçantë të mjekëve të rinj, kush firmos kontratën do punësohet pa konkurrim në përfundim të studimeve

Nga Gazeta Si- Studentët e mjekësisë që do të firmosin kontratën për të qëndruar në Shqipëri pas përfundimit të programit të studimit “Mjekësi e Përgjithshme”, do të përjashtohen nga procedurat konkurruese.

Udhëzimi i përbashkët i Ministrisë së shëndetësisë dhe Ministrisë së arsimit i botuar në fletoren Zyrtare tregon mënyrën dhe procedurën për punësimin me prioritet të mjekëve që përfitojnë trajtim të veçantë, në institucionet shëndetësore, sipas legjislacionit në fuqi. Mjekët që punësohen me prioritet përjashtohen nga procedurat konkurruese.

Procedura për punësimin me prioritet dhe emërimin në një vend të lirë pune në institucionet shëndetësore në Republikën e Shqipërisë do të realizohet nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë dhe institucionet e saj të varësisë, sipas legjislacionit në fuqi”, citohet në udhëzim.

Ligji i ri u miratua nga Kuvendi i Shqipërisë, pas shqyrtimit të tij nga komisionet parlamentare nëpërmjet procedurës së përshpejtuar.

Projektligji i propozuar u shoqërua me protesta nga studentët e Universitetit të Mjekësisë për shkak të detyrimit të punësimit të mjekëve të sapodiplomuar për 5.3 dhe 2 vite në sistemin shëndetësor shqiptar.

Në momentin që studenti do të mbarojë 6 vitet e studimeve, diploma do kalojë menjëherë nga nga institucioni publik i arsimit të lartë, ku ka përfunduar studimet, në institucionin shëndetësor ku punësohet deri në shlyerjen e detyrimeve për punësim sipas afatit, me të drejtën që pas përmbushjes së detyrimit të punësimit të tërheqë diplomën universitare.

Ministria e Arsimit dhe Sportit do bashkëpunojë me Universitetin e Mjekësisë për t’i kaluar zyrtarisht Urdhrit të Mjekëve një kopje të njehsuar të diplomës së studentit që ka nënshkruar marrëveshjen, me qëllim pajisjen me lejen e ushtrimit të profesionit të mjekut.

Ndërsa Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale do ketë përgjegjësitë të vlerësojë nevojat, identifikojë dhe përditësojë çdo vit listën e vendeve vakante për pozicionin “mjek i përgjithshëm” në institucionet shëndetësore, me qëllim punësimin me prioritet të mjekëve të sapodiplomuar. Gjithashtu do organizojë procedurën për njoftimin për vendet e lira të punës dhe punësimin e këtyre mjekëve, sipas nevojave të sistemit shëndetësor.

Pas procedurës për njoftimin e emërimit të mjekut, MSH dërgon diplomën në institucionin shëndetësor ku punësohet studenti, për t’u administruar në dosjen personale të mjekut, sipas dispozitave ligjore në fuqi.

Ministria e Shëndetësisë do dërgojë çdo vit pranë Urdhrit të Mjekëve listën e studentëve që kanë nënshkruar marrëveshjen me Universitetin e Mjekësisë Tiranë, sipas afateve të parashkruara në këtë marrëveshje mes palëve, që hyn në fuqi pas licencimit të tyre si mjek dhe fillimit të punësimit me institucionin shëndetësor sipas nevojave të sistemit shëndetësor, si dhe listën e mjekëve të punësuar bazuar në këtë marrëveshje.

Me përfundimin e angazhimit të punësimit të mjekut, për periudhën kohore të parashikuar në marrëveshjen mes palëve, institucioni shëndetësor i dorëzon atij diplomën dhe suplementin origjinal, dhe administron në dosjen e tij individuale kopjen e njehsuar të këtij dokumentacioni.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë