Dosje

Humbi medaljen e nipit futbollist, gruaja alarmon policinë e Rinasit

Ndonjëherë një harresë e vogël apo shpërqëndrim mund të na kushtojë jo vetëm vlerat monetare, por edhe sende që kanë rëndësi për ne. Kjo i ka ndodhur një 32-vjecareje nga Shkodra e cila harroi xhupin në një stol në Areoportin e Rinasit, e bashkë me të humbi jo vetëm paratë por edhe një medalje futbolli.

Gruaja po udhëtonte nga Tirana me destinacion Francën dhe kishte marrë me vetë si shpenzime një shumë prej 540 eurosh. Bashkë me të edhe medaljen e nipit të saj futbollist. Gruaja – bëjnë me dije burimet policore në Rinas për Gazetën “Si” – i alarmoi autoritetet fill sapo e kuptoi që e kishte harruar xhupin në stolat e tranzitit, por ato nuk u vunë në dijeni në kohën e duhur dhe veshjen e saj e mori një tjetër pasagjer që ndërkohë gjendej ne areoport dhe po udhëtonte bashkë me fëmijën dhe të shoqin drejt Mbretësisë së Bashkuar. Megjithëse ata e gjetën xhupin e harruar brenda të cilit ishin vlerat monetare dhe medalja, policia i thotë Gazetës “Si” se hetimet kanë nisur ndaj tyre për akuzën e vjedhjes

Denoncuesja me inicialet V.B kujton se pasi kaloi kontrollet policore në brendësi të areoportit, në dorë mbante xhupin. Më pas ajo u ul në stola derisa të dëgjonte thirrjen për t’u paraqitur në daljen përkatëse. Pikërisht aty ajo e harroi veshjen dhe brenda saj medaljen e nipit futbollist dhe eurot.

“Kur hipa në avion u kujtova për xhupin dhe u kërkova stjuardesave që të zbrisja, por ato nuk më lejuan mbasi ishin mbyllur dyert. Dikush në avion më tha se duhet të telefonoja në një numër të areoportit për t’i vënë në dijeni dhe ashtu veprova, që xhupi të dërgohej te zyra e sendeve të humbura”, është shprehur gruaja.

Menjëherë pasi ka zbritur në Francë e reja nga qyteti i Shkodrës kujton se njoftoi të motrën në telefon, që ajo të vraponte drejt areoportit dhe të tërhiqte xhupin, eurot dhe medaljen e futbollit. Sic tregon policia për Gazetën “Si”, familjarja e kallëzueses mbërriti tepër vonë. Autoritetet kontrolluan ngado por nuk gjetën asgjë.
“Kjo shtetase u pyet nëse dëshironte të kryente denoncim, por qytetarja në fjalë refuzoi duke shtuar se xhupi i kishte humbur së motrës”, deklaron Policia e Tiranës që e ka marrë shumë seriozisht hetimin.

Pas 15 ditësh shkodrania është kthyer nga Franca. Rezulton se veprimi i parë që ajo kreu sapo preku tokën shqiptare ishte udhëtimi drejt Komisariatit të Rinasit.
“E pyetur nga ana jonë se a dispononte fatura për eurot, historik për medaljen dhe faturë për xhupin, qytetarja u shpreh që nuk dispononte”, thotë policia. Por ajo ka treguar itenerarin, orën e largimit nga Tirana duke u dhënë detaje të nevojshme agjentëve për të kërkuar në sistemin e hyrje-daljeve në pikën kufitare.

Policia i thotë Gazetës “Si” se pas një këqyrjeje të gjatë të kamerave të sigurisë të instaluara në areoport, gjetën saktësisht momentet kur gruaja kontrollohet, më pas ajo kalon në zonën tranzit dhe ulet në stol me një xhup në dorë. Pasi qëndron disa caste aty – shton policia për Gazetën “Si” – ajo drejtohet për nga dalja ku dhe shfaqet për herë të fundit.

Në stolin ku u harrua xhupi mbas saj ulet një cift me një fëmijë, për gati 30 minuta. Kur ata cohen, gruaja me flokët e shkurtër vëren xhupin, e nuhat dhe më pas e fut në cantë. Sipas policisë, bazuar në këtë përshkrim të kameras, oficerët kanë ndjekur castet përpara se ata të uleshin në stol, për të kuptuar se cilët ishin identitetet e tyre në momentet kur paraqiten tek posta e policisë.

“Cifti i identifikuar është nga Kamza dhe po udhëtojne drejt Anglisë. Kështu që bazuar në këqyrjen e kamerave të sigurisë, gruaja me flokët e shkurtër me inicialet F.C është autore e vjedhjes, ndonëse ajo e gjeti dhe në fakt duhet të njoftonte autoritetet”, shprehen autoritetet policore të Rinasit.
Policia nuk i jep sqarime Gazetës “Si” nëse cifti jeton përkohësisht në Angli, apo janë turistë. Por një gjë është e sigurtë: Sapo të kthehen, ata i presin prangat për akuzën e vjedhjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë