Punonjësi i sigurisë, Arjan Sala, i cili humbi jetën mes flakëve të një qendre tregtare pranë Kasharit, është shpallur “Dëshmor i Atdheut”.
Titulli “Dëshmor i Atdheut” do të firmoset nga ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi dhe i është dorëzuar familjes nga kryeministri Rama pas vizitës së sotme.
Sala ishte punonjës sigurie dhe hyri në magazinën e qendrës tregtare për të shpëtuar personat që ishin brenda saj, por nuk mundi të dilte dot vetë.
Trupi i pajetë i 33-vjeçarit u nxor nga magazina e djegur pas tre ditësh. Dy ditë më parë familjarët e Arjan Salës u takuan edhe nga presidenti Ilir Meta, i cili vlerësoi gjestin e tij heroik.
Sipas ekspertizës paraprake, rezulton se zjarri i fuqishëm në magazinën e qendrës tregtare te kthesa e Kamzës, është shkaktuar nga një shkëndijë elektrike në një tel rrymë përcjellës, i cili lidhej me një ndriçues.
Sipas grupit hetimor, shkëndijat kanë rënë mbi materialet që ndodheshin aty, si rroba e produkte të tjera lehtësisht të djegshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.