Lajme

Humbën në Llogara, Policia gjen çiftin hungarez

Policia ka arritur të gjejë çiftin nga Hungaria, që teksa kishin dalë të eksploronin zonën, humbën në Malin e Llogarasë. Policia bën me dije se bëhet fjalë për shtetasit me inicialet S. D. dhe B. M., të cilët kishin humbur rrugën mbrëmjen e kaluar, në zonën e Karaburunit.
Siç thuhet në njoftim, pas kërkimeve të pandërprera të shërbimeve të Policisë Kufitare, Delta Forcë dhe shërbimeve të tjera vendore është bërë i mundur lokalizimi i tyre, nëpërmjet GPS, rreth orës 06:30 të mëngjesit të sotëm.
Menjëherë janë nisur shërbime të tjera shtesë drejt vendndodhjes, pasi terreni ishte tepër i vështirë e i thellë dhe rreth orës 10:00 është bërë e mundur gjetja e tyre dhe kontakti fizik me ta pranë vendit të quajtur “Lerat”, në Llogara.
Çifti kishte humbur kontaktet një ditë më parë dhe për shkak të terrenit të vështirë dhe errësirës, e kishte të pamundur kthimin mbrapa.
Aktualisht po bëhet transportimi i çiftit pranë vendndodhjes së tyre në zyrat e zonave të mbrojtura, në Parkun e Llogarasë.
Turistët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe kanë falënderuar shërbimet e kërkimit që iu kanë ardhur në ndihmë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë